Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka deklaruar se Gjermania po rrit ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe po merr një rol udhëheqës në forcimin e krahut europian të NATO-s.
Në një deklaratë përpara takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg të Suedisë, Wadephul tha se vendi i tij pritet të shpenzojë mbi 4 për qind të PBB-së për mbrojtje këtë vit, duke iu afruar objektivit prej 5 për qind.
Ai theksoi se NATO po kalon drejt një modeli të ri të ndarjes së barrës, ku Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi dhe të rrisë kapacitetet e saj ushtarake, në kuadër të asaj që e quajti “NATO 3.0”.
Sipas tij, Gjermania po pozicionohet si një nga vendet kryesore brenda aleancës, duke e kthyer rritjen e buxhetit të mbrojtjes në kapacitete reale ushtarake.
Wadephul propozoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit me Ukrainën, me synimin për të përmbushur më shpejt nevojat e saj ushtarake, në koordinim me aleatët europianë dhe Kanadanë.
Ai ritheksoi mbështetjen e plotë të Berlinit për Kievin, duke thënë se Ukraina mund të mbështetet gjithmonë te partnerët e saj perëndimorë dhe se duhet të hyjë në negociata nga një pozicion force.
Sa i përket situatës me Shtetet e Bashkuara, ministri gjerman deklaroi se lëvizjet e trupave amerikane në Europë janë të pritshme dhe nuk përbëjnë shqetësim për aleancën.
Ai mirëpriti vendimin e SHBA-së për dërgimin e 5 mijë trupave shtesë në Poloni, duke e cilësuar atë si një masë që forcon sigurinë e gjithë NATO-s.
Në të njëjtën kohë, Wadephul konfirmoi se Gjermania po diskuton me Uashingtonin për vendosjen e sistemeve raketore me rreze të gjatë veprimi në territorin gjerman, si pjesë e forcimit të mbrojtjes së përbashkët./mxh
