Një shpërthim i fuqishëm në uzinën petrokimike të kompanisë hungareze MOL Group në qytetin Tiszaujvaros, në lindje të Hungarisë, ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e rëndë të disa të tjerëve.
Lajmi u konfirmua nga kryebashkiaku i qytetit, Gyorgy Fulop, i cili deklaroi se aksidenti ndodhi në orët e mëngjesit në kompleksin petrokimik të kompanisë.
Sipas autoriteteve lokale, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë ende.
Kryebashkiaku Fulop tha se aktualisht nuk ka rrezik për popullsinë dhe nuk është e nevojshme marrja e masave mbrojtëse për banorët e zonës.
Pamjet e publikuara nga kryeministri hungarez Peter Magyar treguan re të mëdha tymi të zi që ngriheshin mbi uzinën pas shpërthimit.
Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Istvan Kapitany, deklaroi se sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ndodhi gjatë rinisjes së impiantit “Olefin 1”, pasi një kompresor shpërtheu duke shkaktuar zjarrin.
Kompania MOL bëri të ditur se ekspertët kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, pa dhënë më shumë detaje.
Impianti “Olefin 1” është një njësi e rëndësishme për prodhimin e etilenit në uzinën petrokimike të Tiszaujvarosit, me një kapacitet prodhimi prej rreth 370 mijë tonësh etilen në vit.
Kompania përdor pjesën më të madhe të këtij prodhimi për fabrikimin e plastikës polietileni, që furnizon industrinë e paketimit dhe prodhimit plastik në Europë./mxh
