Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se situata me Iranin ndodhet në një fazë shumë kritike, ndërsa theksoi rëndësinë e rifillimit të negociatave për të shmangur përshkallëzimin.
Gjatë një konference për shtyp, Wadephul bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij iranian, të cilit i ka kërkuar që Teherani të tregojë gatishmëri për dialog dhe të shmangë çdo veprim që mund të sugjerojë zhvillimin e armëve bërthamore.
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë justifikim për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke i bërë thirrje autoriteteve iraniane që ta rihapin atë sa më shpejt.
Sipas kryediplomatit gjerman, është thelbësore që oferta për negociata të merret seriozisht për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm, që do të kishte pasoja për të gjithë.
Në të njëjtën kohë, Wadephul u ndal edhe te çështjet e sigurisë në Europë, duke theksuar nevojën që NATO të forcojë kapacitetet e saj ushtarake konvencionale.
Ai nënvizoi se Europa duhet të zhvillojë më shpejt kapacitetet e veta mbrojtëse, duke marrë si shembull edhe Ukrainën, e cila sipas tij ka treguar se aftësitë ushtarake mund të ndërtohen në kohë më të shkurtër.
Megjithatë, ai shtoi se nuk ka shqetësime për dobësim të kapaciteteve parandaluese të NATO-s në Europë, pasi çdo boshllëk do të kompensohet në një mënyrë apo në një tjetër./mxh
