Last Updated on 19/08/2025 by adminfjala
Nga Olga Rudenko*
Vladimir Putini dukej sikur po e shijonte çdo minutë.
Putin, presidenti i Rusisë, njeriu që ka shpallur se vendi im nuk duhet të ekzistojë – se është një gabim historik, për t’u “rregulluar” nga ushtarët rusë – u prit me entuziazëm në Alaskë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Z. Putin doli nga avioni dhe nga izolimi diplomatik dhe eci mbi tapetin e kuq si një mysafir nderi.
Buzëqeshja e tij ishte triumfuese. A ishte besimi se do t’i shpëtonte gjithçkaje që ka bërë? Apo ishte parashikimi se do të merrte atë që donte: një Ukrainë të nënshtruar dhe një aleancë transatlantike të dobësuar? Ndoshta ishte të dyja bashkë.
Amerikanët mund të jenë ndjerë keq, por për ukrainasit, të shikonin Putinin duke nënqeshur e duke qeshur, ishte neveritëse.
Takimi mes Putinit dhe presidentit Trump të premten ishte një kujtesë e ashpër e një të vërtete të thjeshtë: se pengesa e vërtetë, e vetmja pengesë reale mes Trumpit dhe paqes në Ukrainë (dhe çmimit Nobel që ai aq shumë dëshiron), është Putini. Rusia mund ta mbyllte luftën në Ukrainë në çdo moment duke ndalur sulmet dhe duke tërhequr forcat e saj. Thjesht duke u kthyer në shtëpi. Putini mund ta përfundonte me një telefonatë.
Putini – dhe ndonjëherë edhe Trumpi – kanë provuar ta paraqesin Ukrainën si pengesën për paqen. Por le të mendojmë se si mund ta përfundonte Ukraina këtë luftë sipas kushteve që do të pranonte Putini: duke i dhënë atij gjithçka. Duke hequr dorë nga territoret që dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur duke i mbrojtur, duke braktisur perspektivën e anëtarësimit në NATO ose në Bashkimin Evropian, duke rënë dakord të mos mbajë një ushtri aq të fortë sa të mbrojë veten dhe duke instaluar një qeveri kukull të bindur ndaj Putinit. Me fjalë të tjera, duke rënë dakord të pushojë së ekzistuari.
Për një ukrainas – dhe padyshim për shumicën e njerëzve – ideja e dorëzimit të diçkaje, e lëre më të gjithçkaje, një pushtuesi që ka sjellë vdekje e shkatërrim në një vend paqësor, duket krejtësisht e gabuar.
Një sondazh i fundit i Gallup tregoi se 69 për qind e ukrainasve duan që lufta të përfundojë me një marrëveshje, dhe së shpejti. Ky shumicë, që është rritur nga 22 për qind në vitin 2022, vitin e parë të pushtimit të plotë rus, është interpretuar gjerësisht si dëshmi se ukrainasit tani janë të gatshëm për kompromis. Por çështja është më e ndërlikuar se kaq. Sondazhe të tjera që e kanë ndarë më qartë pyetjen mbi përfundimin e luftës – “A duan ukrainasit t’i japin territore Rusisë për t’i dhënë fund luftës?” – kanë treguar se shumica ende përgjigjen me “jo.”
*Olga Rudenko është kryeredaktore e Kyiv Independent. Ajo shkruan nga Kievi, Ukrainë.
Burimi: The New York Times/ Përgatiti për botim: L.Veizi
