Last Updated on 19/11/2025 by Kesjana
Tiranë, 19 nëntor 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për çështjen penale nr. 9/2023, ku të pandehur janë Behar Brajoviq, Edmond Preka, Astmer Bilali, Oltian Bistri dhe Xhevahir Lita. Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, ndërsa masa të ndryshme dënimi janë dhënë për veprat penale të lidhura me sigurimin e kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion.
Dënimet e vendosura nga GJKKO
1. Behar Brajoviq
Brajoviq u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Në bashkim dënimesh ai u dënua me 13 vjet burgim, të cilat, pas uljes me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, u përcaktuan në 8 vite e 8 muaj burgim. Ai do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
2. Edmond Preka
Preka u shpall fajtor për sigurimin e kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Dënimi i bashkuar rezultoi 10 vite e 6 muaj, ndërsa pas uljes me 1/3, dënimi përfundimtar është 7 vjet burgim, i cili do të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë.
3. Astmer Bilali
Bilali u dënua për sigurimin e kushteve për vrasje dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Pas bashkimit të dënimeve, ai u dënua me 8 vite e 6 muaj, të reduktuara përfundimisht në 5 vite e 8 muaj burgim pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.
4. Xhevahir Lita
Lita u shpall fajtor për “zbulim të akteve sekrete” dhe për dy raste të korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë.
Në bashkim dënimi u caktua 5 vjet burgim, të cilat pas uljes me 1/3 u reduktuan në 3 vite e 4 muaj.
Gjykata vendosi heqjen e masës ‘arrest në burg’ dhe urdhëroi lirimin e tij, pasi koha e vuajtur rezultoi më e madhe se dënimi përfundimtar.
5. Oltian Bistri
Bistri u shpall i pafajshëm për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi gjykata vlerësoi se faktet nuk përbënin vepër penale ose nuk provoheshin.
Ai u shpall fajtor vetëm për “zbulimin e akteve sekrete” dhe u dënua me 3 vite burgim, të reduktuara në 2 vite burgim.
Gjykata vendosi gjithashtu shuarjen e masës së arrestit në burg dhe urdhëroi lirimin e tij nga paraburgimi.
Vendimet për provat materiale
Gjykata konfiskoi disa pajisje teknologjike, armë zjarri, pajisje komunikimi dhe sende të tjera, ndërsa një pjesë e pajisjeve elektronike iu kthyen të pandehurit Oltian Bistri.
U rrëzua kërkesa për konfiskimin e shumës prej 1,000,300 euro dhe disa pasurive të paluajtshme, pasi u vlerësua se kërkesa ishte e pabazuar në ligj e prova.
Ankimi
Palët kanë të drejtën e ankimit të vendimit brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./kb
