Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar këtë të premte kërkesën e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja, për ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga burgu.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare).
Sipas avokatit mbrojtës të Çyrbjas, ai duhej të ishte liruar, pasi kishte përfunduar dënimin e tij. Megjithatë, gjykata argumentoi se atij i kishin mbetur ende disa orë për të shlyer plotësisht dënimin, prandaj kërkesa për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” u rrëzua.
Në njoftimin zyrtar të GJKKO thuhet:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 73 akti mbi kërkesën e të pandehurit J.Ç, me objekt ‘Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shkak të përfundimit të dënimit’, si vijon: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç.”
Vendimi u shpall në Tiranë më 20 shkurt 2026.
