Pavarësisht se historia e tyre e dashurisë përfundoi prej vitesh, Jennifer Garner dhe Ben Affleck duket se kanë arritur të ndërtojnë një marrëdhënie të shëndetshme si prindër. Aktorja ka folur me vlerësim për ish-bashkëshortin e saj, duke e cilësuar një bashkëprindër të përkushtuar dhe një mbështetje të rëndësishme në rritjen e tre fëmijëve të tyre.
Gjatë një interviste në emisionin “Sunday Today with Willie Geist”, Garner tregoi se puna në Los Angeles, qyteti ku jeton, i ka krijuar mundësinë të mos qëndrojë gjatë larg familjes. Sipas saj, kjo është veçanërisht e rëndësishme për të, pasi i lejon të kalojë më shumë kohë me fëmijët dhe të jetë pranë tyre në përditshmëri.
Aktorja pranoi se organizimi i tillë nuk është gjithmonë i lehtë, por bëri edhe një koment me humor për tre fëmijët e saj, Violet, Seraphina dhe Samuel, duke thënë se ata kanë një orar gjumi shumë më të vonë se ajo.
Në këtë pikë, Garner përmendi edhe fleksibilitetin e Ben Affleck, duke e vlerësuar për mënyrën se si bashkëpunojnë në përgjegjësitë prindërore.
Por vlerësimet mes ish-partnerëve nuk kanë qenë të njëanshme. Edhe Affleck ka folur publikisht me admirim për ish-bashkëshorten, duke e cilësuar një nënë të jashtëzakonshme.
Në një intervistë të mëparshme, aktori tregoi me humor se shpesh u thotë fëmijëve se është vetëm 75 për qind aq i mirë sa nëna e tyre. Përgjigjja e tyre, sipas tij, është se ndoshta ai arrin vetëm 40 për qind.
Garner, nga ana tjetër, kishte shpjeguar më herët për “Entertainment Weekly” se fakti që mund t’ua besojë fëmijët babait të tyre i jep më shumë liri në angazhimet profesionale.
“Unë mund t’ia lë fëmijët babait të tyre. Ai kujdeset për ta. Në këtë aspekt, është një partner i shkëlqyer”, ishte shprehur aktorja.
Jennifer Garner dhe Ben Affleck u njohën në vitin 2001, gjatë xhirimeve të filmit “Pearl Harbor”, ndërsa lidhja e tyre nisi dy vite më vonë, kur u ritakuan në sheshxhirimin e “Daredevil”. Çifti u martua në qershor të vitit 2005, në Ishujt Turks dhe Caicos, ndërsa ndarja u bë publike në vitin 2015. Divorci i tyre u finalizua zyrtarisht në vitin 2018.
Edhe pse rrugët e tyre si çift u ndanë, duket se për të dy, bashkëpunimi dhe mirëqenia e fëmijëve kanë mbetur prioritet./mxh
