Last Updated on 12/04/2026 by EL
Në një botë që sa vjen dhe më shumë po formësohet nga lëvizjet e njerëzve, ideve dhe identiteteve, çfarë do të thotë realisht t’i përkasësh një vendi të caktuar? A mund të jetë gjuha çelësi që e hap këtë ndjesi përkatësie, apo ajo thjesht tregon limitet e saj?
Këto janë disa nga pyetjet në qendër të bashkëbisedimit në Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, ku e ftuar është Carrie Ann Morgan, antropologe gjuhësore amerikane, e cila jeton dhe punon në Shqipëri prej 16 vitesh tashmë. Por veçse studiuese, Carrie Ann është gjithashtu mësuese e jogas dhe aktiviste politike, çka bën që ajo vetë të lëvizë në disa fusha që shpesh shihen si të veçuara nga njëra-tjetra dhe ndoshta edhe në kundërshtim me njëra-tjetrën. Por ç’ndodh kur gjuha, politika dhe praktikat shpirtërore ndërthuren dhe nuk janë më të izoluara?
Ndryshe nga nomadët digjitalë që popullojnë kafenetë cool të Tiranës, rrugëtimi i Carrie Ann na Shqipëri ka nisur në fshatrat dhe qytetet e vogla të Shqipërisë. Ajo mbërriti fillimisht si pjesë e Korpusit të Paqes në vitin 2009 dhe ka jetuar në këto komunitete lokale. E pyetur nëse ka diçka që do të veçonte që e ka befasuar në lidhje me Shqipërinë, ajo shprehet se e ka të vështirë, pasi jeton prej kaq kohësh e përfshirë në realitetin e përditshëm shqiptar. Megjithatë, Morgan veçon aftësinë me të cilën shqiptarët mobilizohen në momentin që tik e nevojë për ndihmë me një problem konkret.
Ndërkaq, si studiuese dhe antropologe gjuhësore, Carrie Ann shprehet se nuk është edhe aq e interesuar ndaj gramatikës se sa ndaj mënyrës se si gjuha krijon realitete shoqërore, si sinjalizon përkatësi ose edhe distancim social? Ajo shton se në Shqipërinë e Mesme vëren një kontradiktë: banorët e kësaj zone nuk e pranojnë se dialekti që përdorin është pjesë e gegërishtes? Sipas Morgan, kjo ndodh sepse gjuha, veçse për të komunikuar, tregon edhe pozicionim dhe mospranimi i etiketave të caktuara linguistike ndodh kur njerëzit duan të rreshtohen krah modernitetit. Por, nëse ne jemi ata që riformësojmë mënyrën si flasim për t’iu përshtatur një identiteti të caktuar, çfarë do të thotë kjo për vetë identitetin?
Morgan ndalet gjithashtu tek pretendimi se shqipja është një gjuhë e varfër sepse shpesh përdor të njëjtën fjalë për të treguar kuptime të ndryshme. Ajo e refuzon këtë në mënyrë kategorike, ndërsa thekson se një gjuhë nuk mund të cilësohet si e varfër sepse i mungon përkthimi një-për-një për çdo koncept. Ideja e një precizioni dhe kategorizimi të tillë është ngushtësisht Perëndimore, thotë ajo.
Por ndoshta tensioni më interesant i bisedës lind kur diskutohet marrëdhënia mes praktikave shpirtërore dhe meditimit dhe aktivizmit politik. A rrezikojnë joga dhe meditimi të inkurajojnë përshtatje, apo janë në gjendje të bashkëjetojnë me një kritikë të kapitalizmit? Morgan thotë se është e drejtë që njerëzit janë skeptikë ndaj këtyre praktitkave, veçanërisht kur përdoren për të qetësuar punëtorët pa adresuar kushtet reale që i mbajnë ata të shfrytëzuar. Çfarë paqeje e brendshme mund të arrihet në një botë strukturalisht të pabarabartë? A mundet që praktikat shpirtërore të shndërrohen në burim veprimi kolektiv dhe të mos mbeten thjesht mënyra për t’u arratisur nga vështirësitë?
Ajo që mbetet konstante gjatë gjithë bashkëbisedimit është se gjuha nuk është kurrë neutrale. Ajo strukturon perceptimet tona, tregon identitet, por njëkohësisht edhe formëson strukturat shoqërore. Megjithatë, ajo nuk na burgos. Përkundrazi, ajo zbulon terrenin e brishtë dhe të paqëndrueshëm mbi të cilin ngrihet vetë shoqëria./et
