Last Updated on 09/03/2026 by Anisa
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pezullimin nga detyra të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimit në Apel, ku u vlerësua masa e vendosur më herët nga shkalla e parë në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK deklaruan se masa e pezullimit tashmë nuk ka më efekt praktik, pasi Balluku është shkarkuar nga detyra. Megjithatë, prokuroria kërkoi që vendimi i gjykatës së shkallës së parë të mbetet në fuqi në aspektin formal.
Sipas SPAK, mbajtja në fuqi e vendimit është e nevojshme për të konfirmuar ligjshmërinë e masës së marrë në momentin kur Balluku ushtronte funksionin publik.
Në përfundim, Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për pezullimin nga detyra, pavarësisht se masa nuk prodhon më pasoja konkrete për shkak të largimit të saj nga posti./A.D
