Një gjykatë në Kajro ka dënuar me vdekje prezantuesen televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 të pandehur të tjerë për një çështje që përfshin prodhimin dhe trafikimin e paligjshëm të drogës.
Dënimi parashikon ekzekutim me varje, megjithëse mund të apelohet.
39-vjeçarja njihet si prezantuese e programit “Mission Impossible”, i dedikuar çështjeve të sigurisë dhe krimit. Ajo gjithashtu zotëron një klinikë kirurgjie kozmetike dhe një kompani që organizon festa dhe evente.
Siç raporton gazeta shtetërore “Al-Ahram”, Khalifa dhe të pandehurit e tjerë u dënuan me akuzën e krijimit të një grupi të organizuar kriminal. Sipas gazetës, grupi u akuzua për sigurimin e materialeve për prodhimin e drogës së destinuar për shitje, si dhe për posedimin dhe mbajtjen e armëve të zjarrit dhe municioneve pa leje./k.m
