Një gjykatë në Nicë ka rrëzuar ndalimin e burkinit në plazhin e qytetit turistik Mandelieu-la-Napoule, në rajonin Côte d’Azur të Francës.
Burkini është një veshje plazhi, që mbulon pothuajse të gjithë trupin dhe përdoret nga shumë gra myslimane.
Gjykata Administrative e Nicës vendosi se ndalimi i kësaj veshjeje shkelte në mënyrë të rëndë dhe të paligjshme tri të drejta themelore: lirinë e lëvizjes, lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë personale.
Bashkia e Mandelieu-la-Napoule e kishte justifikuar ndalimin me argumentin se veshje të tilla, të cilat mund të tregojnë përkatësi fetare, mund të përbëjnë kërcënim për rendin publik.
Por, gjykata tha se nuk ishte paraqitur asnjë provë që ta mbështeste këtë pretendim.
Bashkia kishte përmendur vetëm dy incidente të ndodhura 10 dhe 14 vjet më parë.
Gjykata theksoi gjithashtu se nuk kishte prova se veshja përbënte rrezik për sigurinë e personave në plazh ose të notarëve.
Vendimi rikthen në qendër të vëmendjes debatin e gjatë në Francë mbi shaminë dhe veshjet fetare myslimane për gratë.
Franca është një shtet laik, që do të thotë se shteti dhe institucionet fetare janë të ndara.
Për këtë arsye, përdorimi i simboleve fetare në hapësirat publike, është prej vitesh një çështje e debatueshme në vend, veçanërisht në lidhje me Islamin.
Mandelieu-la-Napoule e ndaloi burkinin për herë të parë në 2012, ndërsa kryebashkiaku konservator i qytetit e ka rinovuar disa herë ndalimin, pavarësisht vendimeve të mëparshme kundër tij./mxh
