Më shumë se 60 vite pasi Fidel Castro mori pushtetin në Kubë dhe nisi konfiskimin e pronave amerikane, përfshirë edhe kompaninë Havana Docks Company, kjo çështje po rikthehet në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara. Të hënën, Gjykata Supreme e SHBA-ve do të dëgjojë argumentet në një proces që mund të ketë pasoja të mëdha ligjore, ekonomike dhe diplomatike.
Havana Docks pretendon se porti i saj në Havanë u sekuestrua me forcë nga revolucionarët kubanë në vitin 1960 dhe se nuk është kompensuar kurrë. Megjithatë, një ndryshim politikash gjatë administratës së parë të Donald Trump hapi rrugën që kompania të padiste linjat e mëdha të kroçerave, të cilat nga viti 2016 sollën afro 1 milion turistë amerikanë në Kubë, pasi rregullat për udhëtimet u lehtësuan gjatë presidencës së Barack Obama.
Padia, e depozituar në vitin 2019, akuzon kompanitë e kroçerave se kanë “trafikuar” prona të konfiskuara, duke përdorur doket e Havanës pa pëlqimin e pronarit ligjor. Një çështje paralele përfshin edhe Exxon Mobil, e cila kërkon kompensim për asetet e naftës dhe gazit të sekuestruara nga qeveria kubane.
Një moment i ndjeshëm politik
Këto procese zhvillohen në një periudhë të tensionuar për marrëdhëniet SHBA–Kubë. Administrata Trump ashpërsoi ndjeshëm presionin ekonomik dhe politik ndaj Havanës, duke goditur turizmin dhe furnizimet me karburant. Avokatët e Departamentit të Drejtësisë amerikane i kanë thënë Gjykatës Supreme se këto padi janë shndërruar në një mjet të rëndësishëm të politikës së jashtme për të dekurajuar investimet në Kubë.
Sipas tyre, paditë synojnë të ndalojnë aktorët privatë nga bashkëpunimi me qeverinë kubane për shfrytëzimin e pronave të konfiskuara dhe të rrisin presionin ekonomik për reforma demokratike.
Nga ana tjetër, industria e kroçerave këmbëngul se ka vepruar ligjërisht, duke ndjekur politikën e administratës Obama, e cila inkurajoi udhëtimet drejt Kubës gjatë periudhës së shkurtër të afrimit diplomatik që nisi në vitin 2016.
Një histori e gjatë konfiskimesh
Para revolucionit kuban, kompanitë amerikane kontrollonin rreth 90% të prodhimit të energjisë elektrike të ishullit, sistemin telefonik, pjesë të mëdha të industrisë minerare, fushat e kallamsheqerit dhe shumë rafineri nafte. Pas konfiskimeve, investitorët amerikanë paraqitën kërkesa për kompensim pranë Foreign Claims Settlement Commission, e cila certifikoi miliarda dollarë pretendime, shumica e tyre të papaguara edhe sot.
Në vitin 1996, Kongresi amerikan miratoi Helms-Burton Act, duke forcuar embargon ndaj Kubës dhe duke parashikuar mundësinë që qytetarët amerikanë të padisin në gjykata federale për përdorimin e pronave të konfiskuara. Kjo dispozitë, e njohur si Titulli III, ishte pezulluar për dekada nga presidentët e të dyja partive, deri sa u aktivizua nga administrata Trump në vitin 2019.
Vendime të kundërta në gjykata
Një gjykatës federal në Florida vendosi në vitin 2022 kundër linjave të kroçerave, duke i urdhëruar ato të paguanin mbi 110 milionë dollarë secila. Por më pas, Gjykata e Apelit për Qarkun e 11-të e rrëzoi këtë vendim, duke argumentuar se të drejtat e Havana Docks mbi portin kishin skaduar në vitin 2004.
Në çështjen e Exxon-it, Gjykata e Apelit për Uashingtonin vendosi se kompania nuk mund të vazhdonte padinë pa tejkaluar mbrojtjen që u ofrohet shteteve të huaja dhe ndërmarrjeve shtetërore sipas ligjit amerikan.
Çfarë është në lojë?
Nëse Gjykata Supreme vendos në favor të kompanive amerikane, mijëra kërkesa të tjera për kompensim mund të hapen, duke rritur presionin ndaj Kubës, por edhe duke rrezikuar përplasje diplomatike me vende të tjera. Disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare paralajmërojnë se një vendim i tillë mund të ekspozojë shtete si Brazili, Kina apo Rusia ndaj padive, nëse kompanitë e tyre shtetërore bashkëpunojnë me Kubën.
Vendimi që pritet nga Gjykata Supreme nuk do të përcaktojë vetëm fatin e disa porteve dhe rafinerive të konfiskuara dekada më parë, por edhe drejtimin e politikës amerikane ndaj Kubës në vitet që vijnë./mxh
