Goditen dy raste të këmbimit valutor pa licencë në Tiranë.
Për pasojë janë proceduar penalisht dy persona , të cilët mbanin me vete, shuma të konsiderueshme parash, në rrugë, në zonën e quajtur “Dollari”.
Policia sekuestroi 24 120 euro, 13 200 dollarë kanadezë dhe 470 000 lekë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë kontrolleve të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave “Për goditjen e aktiviteteve të paligjshme”, evidentuan se në 2 raste, kryhej këmbim valutor i palicencuar, në rrugë, me para me burime të dyshimta.
Për këto raste u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetasit që kryenin këtë aktivitet, S. E. dhe K. F., për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë..
