Last Updated on 07/08/2026 by Anisa
Një gjykatës në Nju Meksiko, SHBA, ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë të tjera, për shkak të dështimit për të paralajmëruar publikun mbi rreziqet që platformat e saj paraqisnin për fëmijët. Ky është vendimi më i madh kundër kompanisë lidhur me sigurinë e të miturve.
Gjykatësi Bryan Biedscheid deklaroi se gjiganti i rrjeteve sociale është një “bezdi publike”, e krahasueshme me ndotjen e ajrit, dhe se paratë duhet të vendosen në një fond që do të përdoret për reduktimin e dëmeve të ardhshme.
Vendimi i së enjtes vjen përveç gjobës prej 375 milionë dollarësh që Meta ishte urdhëruar të paguante më herët në të njëjtin proces gjyqësor, duke e çuar shumën totale në 942 milionë dollarë.
Gjykatësi e krahasoi Metën me një fabrikë, ku reklamat dhe përmbajtja janë “produktet” e saj, ndërsa “dëmi psikologjik dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve janë ndotja që duhet të eliminohet”.
Një zëdhënës i Metës, e cila zotëron dhe operon Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, tha se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë atë.
“Ne punojmë fort për t’i mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe kemi qenë transparentë për sfidat në identifikimin dhe heqjen e aktorëve të këqij dhe përmbajtjeve të dëmshme. Jemi ende të bindur në përpjekjet tona për mbrojtjen e adoleshentëve online dhe do të vazhdojmë të mbrohemi ndaj pretendimeve që nuk pasqyrojnë faktet”, tha kompania.
Çështja në Nju Meksiko nisi nga një padi e vitit 2023, e ngritur nga avokatët e shtetit, të cilët argumentuan se Meta duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si platformat e saj kanë rrezikuar fëmijët, duke i ekspozuar ndaj materialeve seksuale dhe kontakteve me persona grabitqarë.
Gjatë fazës së parë të gjyqit, Meta u gjet përgjegjëse për shkelje të përsëritura të ligjit për praktikat e padrejta në Nju Meksiko, pasi algoritmet e rekomandimit të kompanisë orientonin përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve dhe kontakteve të dëmshme.
Në vendimin e dytë, gjykatësi Biedscheid arriti në përfundimin se dëmet e shkaktuara nga platformat e Metës arrinin nivelin e një “bezdie publike”, pra një problem i gjerë që ndikon negativisht në shëndetin dhe sigurinë e komunitetit.
Sipas urdhrit të gjykatës, pjesa më e madhe e fondit, rreth 420 milionë dollarë, do të përdoret për trajtimin e pasojave të shkaktuara nga platformat e Metës, përmes financimit të programeve klinike dhe shërbimeve të shëndetit mendor.
Gjykata urdhëroi gjithashtu masa të tjera, përfshirë: ndalimin që llogaritë e përdoruesve nën 18 vjeç t’u rekomandohen të rriturve; ndalimin e mesazheve nga të rriturit drejt përdoruesve të mitur; ndalimin e dërgimit ose marrjes së materialeve nudo nga përdoruesit nën moshën 18 vjeç; zbatimin e një politike “një shkelje dhe ndalim” për të rriturit që përfshihen në shfrytëzim seksual të fëmijëve.
Gjithashtu, Meta u urdhërua të heqë numërimin e pëlqimeve, “like”, për përdoruesit nën 18 vjeç; ndalojë njoftimet gjatë natës dhe gjatë orarit të shkollës për këta përdorues; vendosë një kufi përdorimi prej 90 orësh në muaj në Instagram dhe Facebook për përdoruesit nën 18 vjeç.
Meta aktualisht përballet me mijëra procese gjyqësore në SHBA për çështje të ngjashme. Ndërkohë, javën e ardhshme pritet të nisë një tjetër proces i madh gjyqësor në Kaliforni, ku dhjetëra shtete amerikane e akuzojnë kompaninë për shkelje të ligjeve për privatësinë e fëmijëve./ad
