Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin për rritjen e numrit të dënimeve me vdekje dhe të ekzekutimeve në Iran, pas raportimeve se një 23-vjeçare, Najmeh Amini, është dënuar me vdekje për blasfemi, për shkak të një postimi në rrjetet sociale.
Amini, studente e kontabilitetit, mbahet në burgun Vakilabad, në qytetin Mashhad, në verilindje të Iranit. Ajo është dënuar me më shumë se 12 vjet burg dhe me vdekje në dy çështje të veçanta, të shqyrtuara nga një gjykatë revolucionare dhe një gjykatë penale.
Një burim për The Guardian pranë familjes së Aminit, i tha organizatës amerikane Human Rights Activists in Iran (HRAI) se ajo ishte dënuar me vdekje me akuzën “sab ol-nabi”, që do të thotë fyerje ndaj profetit. Sipas raportimeve, ajo u arrestua pas monitorimit në internet nga Policia Kibernetike e Iranit (FATA). Përmbajtja e saktë e postimeve të saj nuk është bërë publike.
Në çështjen e dytë, Amini u dënua me 12 vjet, gjashtë muaj e një ditë burg, nën akuza që përfshijnë veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe përhapje të propagandës kundër regjimit.
Amini u arrestua nga forcat e sigurisë gjatë protestave mbarëkombëtare të janarit, të cilat u shtypën me një operacion të përgjakshëm. Sipas raportimeve, mijëra persona u vranë, ndërsa agjencia e lajmeve Hrana, e lidhur me HRAI-n, raportoi se më shumë se 50 mijë persona u arrestuan.
Në një regjistrim audio të publikuar muajin e kaluar, i cili i atribuohet Aminit, ajo bëri thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare, duke kërkuar nga OKB-ja, avokatët dhe organizatat për të drejtat e njeriut që të hetojnë çështjen e saj.
“Unë nuk dua të bëhem heroinë sot. Dua vetëm një gjë: bëhuni zëri im”, tha ajo.
“Jam një vajzë e re e pafajshme, me kaq shumë shpresa dhe ëndrra. Kam prindër që më presin. Një familje që çdo natë, nga frika se mos më humbet, e kthen natën në mëngjes”, u shpreh Amini.
Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se autoritetet iraniane po e përdorin gjithnjë e më shumë dënimin me vdekje për të përhapur frikë dhe për të shtypur kundërshtimin. Sipas organizatës Iran Human Rights (IHRNGO), me seli në Oslo, këtë vit janë kryer tashmë më shumë se 600 ekzekutime.
Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i IHRNGO-së, tha se çështja e Aminit duhet të shihet si një paralajmërim serioz.
“Dënimi me vdekje i një gruaje të re për atë që ka publikuar në rrjetet sociale rrezikon ta normalizojë përdorimin e dënimit kapital kundër shprehjes paqësore të mendimit dhe t’i zgjerojë edhe më tej kufijtë e zbatimit të tij”, tha ai.
Amiry-Moghaddam shtoi se autoritetet iraniane po vënë në provë “tolerancën” e komunitetit ndërkombëtar ndaj dënimit me vdekje.
“Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk reagon me vendosmëri tani, raste të tilla mund të bëhen shumë më të shpeshta”, tha ai.
Sipas nenit 262 të Kodit Penal Islamik të Iranit, fyerja ndaj profetit Muhamed ose figurave të nderuara të shiizmit dënohet me vdekje. Megjithatë, neni 263 parashikon përjashtime për deklaratat e bëra në gjendje të dehur ose pa qëllim të vetëdijshëm, megjithëse në rrethana të caktuara autorët mund të dënohen sërish me deri në 74 goditje me kamxhik.
Sipas gazetës iraniane Khorasan, e cila konfirmoi zhvillimin e procedurave gjyqësore, Amini i tha gjykatës se i kishte publikuar deklaratat ndërsa ishte në gjendje halucinacionesh, pasi kishte konsumuar kërpudha psikedelike me miqtë e saj. Mbrojtja e saj argumentoi se bëhej fjalë për një “lapsus në të folur”.
Gjykatësi që drejtonte seancën e rrëzoi argumentin e mbrojtjes dhe, sipas raportimeve, e pyeti: “Pse, në të njëjtën gjendje halucinacionesh, nuk fyet persona të tjerë ose kundërshtarë të regjimit, si Amerika dhe Izraeli?”
Dënimi me vdekje i Aminit nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të Iranit.
Dënimi i studentes vjen në një kohë kur ligjvënësit iranianë po përpiqen ta kriminalizojnë kontaktin me të gjitha mediat e huaja, përfshirë edhe publikimet në rrjetet sociale që konsiderohen se financohen nga një shtet tjetër.
Elnaz (emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj), 24 vjeçe, e cila mori pjesë në protestat në Teheran në janar dhe u arrestua për shkak të postimeve në rrjetet sociale në kulmin e luftës në mars, tha se jetonte në frikë të vazhdueshme nga mbikëqyrja.
“U arrestova edhe pse llogaria ime në rrjetet sociale ishte private. Pra, nuk duhet të shqetësohemi vetëm për policinë kibernetike të regjimit. Ekziston edhe kjo mosbesim i vazhdueshëm, kjo ndjesi se dikush po më vëzhgon gjatë gjithë kohës, edhe kur jam vetëm në dhomën time.
Kam frikë të publikoj çfarëdo gjëje në rrjetet sociale… por, pas gjithçkaje që na kanë bërë të përjetojmë, a kemi vërtet ende diçka për të humbur? Ata mund të na vrasin edhe nëse nuk publikojmë asgjë në rrjetet sociale.”
Megjithëse ekzekutimet në Iran janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur nivelin më të lartë në tre dekada, dënimet me vdekje për blasfemi mbeten relativisht të rralla. Rasti i fundit i dokumentuar daton më 8 maj 2023, kur Yousef Mehrad dhe Sadrollah Fazeli-Zare u ekzekutuan pasi u shpallën fajtorë për vepra të lidhura me blasfeminë, të cilat kishin të bënin me aktivitetin e tyre në rrjetet sociale./mxh
