Qindra ushtarë janë vendosur të hënën në dy zona të Guatemalës lindore, ku qeveria e presidentit Bernardo Arevalo ka shpallur gjendjen e rrethimit, pas një vale vrasjesh që u atribuohen organizatave kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Lajmi është bërë i ditur nga një gazetar i AFP-së, i cili ka ndjekur nga afër dislokimin e forcave.
Të pajisur me pushkë sulmi dhe të mbështetur nga automjete të blinduara e helikopterë, ushtarët u vendosën në departamentet Zacapa dhe Izabal, ku veprojnë dy kartele që Shtetet e Bashkuara i shpallën organizata terroriste të premten e kaluar.
Tri javë pas sulmeve të armatosura, të cilat lanë të paktën 17 persona të vrarë në Zacapa, departament që kufizohet me Hondurasin, gjatë fundjavës u shpall gjendja e rrethimit. Masa është parashikuar fillimisht të zgjasë 30 ditë.
Ajo kufizon të drejtën për t’u mbledhur dhe u lejon autoriteteve të kryejnë bastisje dhe kontrolle pa urdhër gjyqësor. Gjithashtu, autoritetet kanë tashmë kompetencën për të shpërndarë me forcë çdo grumbullim të paautorizuar ose tubim ku mbahen armë.
Numri i saktë i personelit ushtarak të angazhuar nuk është bërë i ditur. Megjithatë, zyrtarët kanë konfirmuar se në terren janë vendosur disa njësi këmbësorie, një numër i konsiderueshëm efektivësh shtesë të policisë, si dhe pjesëtarë të forcave ajrore dhe marinës. Pika kontrolli janë ngritur gjithashtu në kufirin me Hondurasin.
Sipas autoriteteve, karteli i familjes Lorenzana, i cili dyshohet se ka lidhje me kartelin meksikan Sinaloa, pretendon kontrollin e departamentit Zacapa. Udhëheqësi i tij, Aroldo Lorenzana, kërkohet nga autoritetet amerikane.
Ndërkohë, departamenti i Izabalit konsiderohet si një qendër aktiviteti për kartelin Los Mendoza. Zona shihet gjithashtu si një pikë kyçe për prodhimin e drogës.
“Ne erdhëm për të qëndruar për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, gjatë qëndrimit në Zacapa.
Sipas Villeda-s dhe ministrit të Mbrojtjes, Henry Saenz, operacioni synon rikthimin e kontrollit territorial në këto zona, shkatërrimin e të korrave të paligjshme, arrestimin e drejtuesve të organizatave kriminale dhe luftën kundër minierave të paligjshme të arit.
Henry Saenz pranoi se vendimi për të dislokuar forcat e armatosura u përshpejtua pas vendimit të Uashingtonit për t’i shpallur dy kartelet organizata terroriste./ad
