Last Updated on 17/11/2026 by Anisa
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin sot aktgjykimin në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë, të cilët përballen me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.
Në këtë rast bashkë me Thaçin të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, ish-drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Komunës së Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë.
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit dyshohet se janë përpjekur të ndërhyjnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023 u ka përcjellë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Aktakuza përfshin veprat penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkeljes së fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjes ndaj gjykatës. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Gjatë nisjes së gjykimit, në shkurt të vitit 2026, Prokuroria publikoi edhe audio-incizime nga takimet e Thaçit me vizitorët në qendrën e paraburgimit. Sipas Prokurorisë, këto incizime mbështesin pretendimet për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë./ad
