Last Updated on 10/07/2025 by adminfjala
Një databazë me mijëra rezyme që u përkasin izraelitëve që shërbyen në pozicione të klasifikuara dhe sensitivë në Forcat e Mbrojtjes Izraelite dhe agjencive të tjera të mbrojtjes e sigurisë, është publikuar muajin e shkuar nga një grup hakerash iranianë.
Përtej shkeljes së rëndë të privatësisë, ekspozimi i identiteteve të këtyre individëve paraqet rreziqe konkrete ndaj ligjit, arrestimit të mundshëm jashtë kufijve, grumbullimit të shënjestruar të inteligjencës dhe sulme fizike.
Dokumentet nuk përfshijnë vetëm emra, por edhe adresa elektronike, numra celularësh dhe në disa raste, adresat e shtëpive të personave me shërbim ushtarak në inteligjencën izraelite, Forcën Ajrore dhe njësi të tjera elitare.
Sipas rezymeve, personat kanë përvojë në shërbime sekrete dhe operacione kibernetike, disa prej të cilëve kanë shërbyer në Ministrinë e Mbrojtjes dhezyrën e kryeministrit. Në dokumente përfshihen ish operatorë dronesh, krijues raketash dhe personeli që merrte pjesë në sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Haaretz ka konfirmuar se pjesa më e madhe e informacionit të rrjedhur është autentik, edhe pse shpesh hakerat i ekzagjerojnë arritjet e tyre, shkallën dhe ndikimin. Haaretz kontaktoi rreth 250 izraelitë, rezymetë e të cilëve shfaqen në databazë.
“Kjo është vërtet e frikshme”, u shpreh njëri prej tyre. Asnjëri nga personat nuk tha se ishte informuar për ngjarjen nga ndonjë zyrtar izraelit.
Ekspertët e inteligjencës kibernetike thanë për median se cenimi është pjesë e një fushate të gjerë që përfshin më shumë se 20 operacione “hakerimi dhe publikimi” në javët e fundit nga i njëjti grup iranian. Me gjasë, sulmi erdhi nga JobInfo, një faqe ku vendosen njoftime pune ose një prej palëve të treta të ofruesve të shërbimit.
Provat tregojnë se hakerimi mund të ketë ndodhur të paktën nëj vit më parë pasi rezymeja më e fundit në databazë i përket 2024-ës. Hakerimi zakonisht kryhet fshehurazi, por ekspertët thonë se publikimi bëhete pasi hakerat kanë marrë gjithë informacionet e dobishme. Publikimi synon të turpërojë Izraelin dhe të ekspozojë personat kundrejt një larmie rreziqesh për shkak të së shkuarës dhe lidhjeve të tyre ushtarake.
Që pas luftës në Gaza, hakerat iranianë kanë përforcuar sulmet dixhitale duke nisur një valë agresive operacionesh. Grupet palestineze dhe pro-palestineze kanë shtuar përpjekjet për të identifikuar dhe ndjekur ushtarët izraelitë dhe personelin e sigurisë jashtë kufitit. Në disa raste, aktivistët kanë ndjekur ushtarakë që kanë postuar video nga Gaza dhe kanë ngritur akuza kundrejt tyre në nivel ndërkombëtar duke i detyruar të shkurtojnë udhëtimet dhe të kthehen në Izrael me frikën se mos arrestohen.
Gjatë vitit të shkuar, hakerat iranianë kanë publikuar informacione personale për zyrtarë të lartë të sigurisë izraelite, përfshirë edhe një shkencëtar të energjisë bërthamore. Këta persona janë kthyer në shënjestra për operativët iranianë, përfshirë të infiltruarit në Izrael.
Prej nga momenti kur ka nisur lufta, mbi një duzinë izraelitësh janë akuzuar për spiunim të Iranit, përfshirë disa të dyshuar që po planifikojnë të lëndojnë izraelitë të tjerë./e.t