Last Updated on 10/06/2025 by adminfjala
Nga Sebi Alla
Për të kuptuar rëndësinë e një vendi që vëtëshpallet i rëndësishëm, gati sa të mendojë se “bota rrotullohet” rreth saj, mjafton të dëgjosh bisedat edhe në kafenetë e shumta me të humbura të vendit tonë. Aq dendur përmendej Amerika përgjatë fushatës së zgjedhjeve sa edhe një puro amerikan do e kishte zili. Disa mendonin se Berisha i kollondrisi punën me La Civita e shokë të tij lobistë. Të tjerë, kundërshtarë të PD-istaëve, gjykonin ndryshe duke theksuar se Rama i kishte punët mirë, sepse ia ka dhënë badihava fare Ishullin e Sazanit dhëndrit të Donald Trump.
Po ç’ndodh tani e më pas? Disa ende besojnë se Amerika na ka në vëmendjen e saj dhe shumë shpejt do të flasë dhe ulet “këmbëkryq” në këtë pazarin tonë ballkanik. SHBA-të kanë gati dy vite që nuk kanë zgjedhur ambasador në vendin tonë. Gjithshtu kjo ambasadë që gjithnjë ishte e para që reagonte për çdo zhvillim këtë herë zgjati në një qëndrim të ftohtë për zgjedhjet e 11 majit, sa vështirë të kuyptohej se ku donin të dilnin, me pikëpyetjen nëse i njohu ose jo zgjedhjet.
I gjithë Ballkani Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk bëjnë tok as 20 milionë banorë. Ndikimi në emokonomi në nivel të papërfillshëm, në politikë gjithashtu, në ushtrie edhe më keq. Po si mundet që fuqitë e mëdha të kenë prioritet një copë vend që ka mbetur e gjitha në bllok pa u integruar në BE? Kjo është një pyetje që ngrihet vetishëm, por fakt është se vende të vogla të ballkanit kanë hapur gjithnjë telashe të mëdha, deri në luftra. Si të tillë, të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë “të drejtë” të mendojnë se janë factor I rëndësishëm destabilizimi dhe si të tillë detyrojnë botën të merret me ta. Po a është rasti në kushtet aktuale?
SHBA-të nuk kanë asnjë prioritet tjetër veç tre çështjeve thelbësore. Së pari, çështjen ekonomike dhe rivalitetin e kanë të drejtëpërdrejtë me Kinën e cila po fuqizohet, bashkë me vende të tjera të mëdha si India dhe Brazili. Gjithashtu vëmendja është edhe në konfliktin Rusi-Ukrainë. Më shumë se llogaritë për viktimat dhe dramat e kësaj lufte që po zgjat më shumë nga çdo parashikim, SHBA-të veçanërisht presidenti Donald Trump kërkon të vendosë diktatin e tij në një marrëveshje që më shumë do i jepte pikë diplomacisë ndërkombëtare të tij, por edhe vetë SHBA-ve. Po ashtu edhe konflikti në Lindjen e Mesme është një nga tre prioritet, por për fatin e keq të banorëve të Gazës nuk është në politikën ditore të menjhershme të SHBA-ve.
Shqipëria as që nuk bën lajm, e jo më të merret si “lajm” për tu trajtuar, bashkë me pesë shtetet e tjera Ballkanike. SHBA dhe BE në këto vende kërkojnë një lloj stabilokracie, pavarësisht se kanë devijuar dukshëm elemntët kyç të demokracisë. Këtë situatë e lexojnë edhe më qartë ata që na qeverisin dhe të tjerë që mëtojnë të qeverisnin, ndonëse publikisht edhe ata fjalën Amerikë e përdorin po me aq sufiçit sa më të pafajshmit në dëmin që shkaktojnë, qytetarët e thjesht.
Për aq kohë sa vëmendja e politikave kryesore ndërkombëtare është gjetiu në konflikte shumë më të mëdha, liderët, qofshin edhe autoritarë të “Ballkan-Pazarit”, do të vijojnë të livadhisin lirshëm më atë pushtet që kanë, duke e konsideruar veten të supërpushteshëm mes vetes, por aq minorë karshi më të mëdhenjve. Në arenën ndërkombëtare të vetmen kartë “faktorizimi” që kanë është se herë pas here tregojnë se janë faktorë destabilizimi. Hë për hë, “Ballkan-Pazari” është shumë larg Shtëpisë së Bardhë dhe Brukselit politik! m.p.
