Shpërthimi i virusit të Andeve në anijen turistike MV Hondius ka rikthyer kujtimet e pandemisë së COVID-19 dhe ka ngritur shqetësime për një tjetër krizë globale shëndetësore.
Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë theksojnë se, ndonëse virusi është i rrezikshëm, ai nuk ka potencialin për t’u kthyer në një pandemi si COVID-i.
Deri më 11 maj, autoritetet shëndetësore evropiane kanë raportuar nëntë raste të lidhura me anijen turistike, mes tyre shtatë raste të konfirmuara dhe dy të dyshuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.
Pesë australianë dhe një shtetas nga Zelanda e Re do të riatdhesohen në Australi, ku do të vendosen fillimisht në karantinë në Qendrën për Rezistencë Kombëtare pranë bazës ushtarake RAAF Pearce në Australinë Perëndimore.
Virusi i Andeve bën pjesë në grupin e hantaviruseve, të cilët zakonisht transmetohen nga brejtësit tek njerëzit përmes urinës, jashtëqitjes ose pështymës së kontaminuar.
Ndryshe nga shumica e hantaviruseve, virusi i Andeve mund të transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu, por ekspertët sqarojnë se kjo ndodh rrallë dhe vetëm në kushte të caktuara.
Sipas specialistëve, transmetimi kërkon kontakt shumë të afërt dhe të zgjatur, kryesisht në ambiente të mbyllura, të mbipopulluara dhe të paajrosura mirë. Kjo e dallon ndjeshëm nga SARS-CoV-2, virusi që shkaktoi COVID-19, i cili përhapej shumë më lehtë përmes ajrit dhe edhe nga persona pa simptoma.
Ekspertët shpjegojnë se virusi i Andeve ka një periudhë të gjatë inkubacioni dhe përhapja e tij është shumë më e kufizuar.
Ndërsa COVID-19 shkaktoi pandemi globale për shkak të transmetimit të shpejtë, hantavirusi i Andeve ka prodhuar vetëm shpërthime të izoluara.
Simptomat fillestare përfshijnë ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh dhe të përziera. Në rastet më të rënda, sëmundja mund të përparojë në sindromën pulmonare të hantavirusit, një komplikacion serioz që shkakton vështirësi të mëdha në frymëmarrje dhe mund të jetë fatal.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon monitorim të personave të ekspozuar deri në 42 ditë pas kontaktit të fundit të mundshëm me virusin.
Autoritetet australiane kanë bërë të ditur se pasagjerët e kthyer do të qëndrojnë fillimisht tre javë në karantinë dhe më pas do të vijojnë të monitorohen.
Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik antiviral apo vaksinë kundër virusit të Andeve. Kujdesi mjekësor fokusohet në mbështetjen e frymëmarrjes dhe menaxhimin e komplikacioneve.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë reagimin e shpejtë të komunitetit shkencor. Laboratorët zviceranë arritën të sekuencojnë kodin gjenetik të virusit brenda pak ditësh dhe ta shpërndajnë atë publikisht, duke ndihmuar identifikimin më të shpejtë të rasteve të dyshuara dhe kontrollin e shpërthimit.
Pavarësisht alarmit, specialistët insistojnë se virusi i Andeve nuk përbën një kërcënim pandemik të ngjashëm me COVID-19, pasi transmetimi i tij është shumë më i kufizuar dhe kërkon kushte specifike për përhapje./ kb
