Rruga e parë që lidh Rusinë me Korenë e Veriut u hap të hënën, duke krijuar një lidhje të re për transportin e mallrave dhe pasagjerëve mes dy vendeve përmes lumit Tumen.
Mediat shtetërore të Phenianit thanë se ura rrugore do të përdoret për “shkëmbime personeli, turizëm dhe tregti”. Megjithatë, grupi ukrainas Truth Hounds argumenton se infrastruktura mund të shërbejë kryesisht si një korridor logjistik ushtarak i fshehtë, në mbështetje të Rusisë në luftën në Ukrainë.
Hapja e urës vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Phenianit janë forcuar ndjeshëm që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un kanë premtuar më herët se dy vendet do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të “agresionit” ndaj secilit prej tyre.
Kryeministri rus Mikhail Mishustin e cilësoi urën rrugore si një “simbol të ri të miqësisë”, ndërsa kryeministri i Koresë së Veriut, Pak Thae Song, e përshkroi hapjen si një “ngjarje historike”.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, ura mund të përballojë deri në 300 automjete dhe 2,323 persona në ditë.
Imazhet satelitore të publikuara nga BBC në maj treguan se ura, rreth një kilometër e gjatë, shoqërohet me rrugë të reja hyrëse, një pikë kontrolli kufitar, infrastrukturë mbështetëse dhe hapësira parkimi.
Rusia dhe Koreja e Veriut kishin lidhje ajrore dhe hekurudhore, por jo lidhje rrugore të përhershme. Sipas Reuters, me marrëveshje të posaçme vendoseshin dërrasa druri mbi urën hekurudhore për t’u mundësuar automjeteve kalimin.
Qeveria ruse ka deklaruar se ura do të përdoret fillimisht për transportin e mallrave, ndërsa transporti i pasagjerëve pritet të nisë më vonë gjatë këtij viti.
Shqetësimet për furnizimet ushtarake
Një nga ndikimet më të menjëhershme të urës mund të jetë rritja e eksporteve të armëve nga Koreja e Veriut drejt Rusisë.
Sipas vlerësimeve të agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut, Pheniani i ka transferuar tashmë Rusisë armë, raketa dhe predha artilerie me vlerë të përllogaritur nga 7 deri në 14 miliardë dollarë, kryesisht përmes transportit detar./ad
