Ish-kryeministrja e përmbysur e Bangladeshit, Sheikh Hasina, u dënua me vdekje në mungesë pas një gjyqi disamujor që e shpalli fajtore për urdhërimin e një goditjeje të përgjakshme kundër një kryengritjeje studentore në vitin 2024. Vendimi u prit me brohoritje në sallën e gjyqit, ndërsa Hasina, e cila u arratis në Indi në kulmin e protestave – e cilësoi gjykatën si “të manipuluar”.
Qeveria e përkohshme e drejtuar nga Muhammad Yunus e quajti vendimin “historik”, por bëri thirrje për qetësi. Bashkë me Hasinën u dënua me vdekje edhe ish-ministri i Brendshëm Asaduzzaman Khan Kamal, dhe Bangladeshi kërkoi zyrtarisht ekstradimin e tyre nga India.
India tha se do të “angazhohet në mënyrë konstruktive”, pa dhënë detaje. Ndërkohë, në Daka pati përplasje midis policisë dhe protestuesve që kërkonin shembjen e mbeturinave të shtëpisë së babait të Hasinës. Siguria u rrit në të gjithë kryeqytetin para zgjedhjeve të shkurtit, mes paralajmërimeve për dhunë nëse ndalimi i partisë Awami League nuk hiqet.
Sipas OKB-së, deri në 1,400 persona u vranë dhe mijëra u plagosën gjatë protestave të verës së kaluar, kryesisht nga të shtënat e forcave të sigurisë, dhuna më e rëndë politike që nga viti 1971./ MXH
