Hendeku gjinor i pagave është një fenomen i vëzhguar mirë në të gjithë Europën.
Në BE, gratë fitonin 12% më pak se burrat në vitin 2023, sipas Eurostat, që do të thotë se gratë fitonin vetëm 88 euro për çdo 100 euro të fituara nga burrat.
Hendeku është edhe më i gjerë kur bëhet fjalë për pensionet. Në 27 vende evropiane, përfshirë edhe vendet jo-anëtare të BE-së, gratë marrin pensione dukshëm më të ulëta se burrat. Mesatarisht, të ardhurat e grave nga pensionet janë 22% më të ulëta se ato të burrave. Në disa ekonomi të rëndësishme, hendeku tejkalon 35% – sipas OECD-së.
Në vitin 2024, hendeku gjinor i pensioneve varionte nga rreth 6% në Estoni në 37% në Mbretërinë e Bashkuar. Mesatarja e OECD-së është 23%, dhe mesatarja evropiane për 27 vendet në listë është 22%. Kjo do të thotë se, mesatarisht në të gjithë Evropën, gratë marrin vetëm 78 euro në të ardhura nga pensionet, ndërsa burrat marrin 100 euro.
Hendeku gjinor në pensione është mbi 30% në disa vende. Përveç Mbretërisë së Bashkuar, këto përfshinin Holandën, Austrinë, Luksemburgun, Belgjikën, Zvicrën dhe Irlandën./K.M
