Një incident i pazakontë ka ndodhur në parkun “Walt Disney World” në Florida, gjatë shfaqjes “Indiana Jones Epic Stunt Spectacular!” (Spektakël epik me akrobaci të Indiana Jones), ku një shkëmb artificial prej 180 kilogramësh doli jashtë kontrollit dhe u drejtua drejt audiencës.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur shkëmbi i madh prej gome del nga shinat dhe nis të rrokulliset drejt turmës. Një punonjës i parkut hidhet përpara tij, duke e ndaluar që të arrijë tek publiku, por përfundon i lënduar dhe rrëzohet në tokë.
Disney konfirmoi se punonjësi është në fazë rikuperimi dhe theksoi se siguria është prioriteti kryesor i parkut të argëtimit.
“Siguria është në zemër të asaj që bëjmë, dhe ai element i shfaqjes do të modifikohet ndërsa ekipi ynë i sigurisë përfundon rishikimin e asaj që ndodhi,” tha kompania në një deklaratë, citon BBC.
Incidenti rikrijonte një skenë të famshme nga filmi i vitit 1981 “Raiders of the Lost Ark”, ku Indiana Jones (Harrison Ford) i shpëton një shkëmbi gjigant. Por këtë herë, rekuizita doli nga kontrolli, duke rrezikuar publikun.
Dëshmitarët e ngjarjes e cilësuan punonjësin si hero. “Ai na shpëtoi jetën, literalisht,” dëgjohet një vizitor duke thënë në video. Një tjetër dëshmitar i tha revistës Peoplese ishte një përvojë e çmendur që nuk do ta harrojnë kurrë./K.M
