Aktorja fituese e çmimit Oscar, Hilary Swank, ka ndarë një lajm të bukur me ndjekësit e saj, duke treguar se është në pritje të fëmijës së tretë me bashkëshortin Philip Schneider.
Aktorja 52-vjeçare e bëri të ditur lajmin përmes një videoje të publikuar në Instagram, ku shfaqet së bashku me bashkëshortin dhe binjakët e tyre trevjeçarë, Aya dhe Ohm. Familja shihet duke kërcyer në errësirë, me shkopinj ndriçues të vendosur në trup, ndërsa barku i rrumbullakosur i aktores është në qendër të vëmendjes. Me anë të dritave, ata kanë krijuar edhe siluetën e një foshnjeje mbi barkun e saj.
“Shumë njerëz më pyesin se cili është projekti im i radhës. Ky do të publikohet në dhjetor”, shkroi Swank në përshkrimin e videos, duke lënë të kuptohet se fëmija mund të vijë në jetë në fund të vitit.
Swank dhe Schneider u martuan në vitin 2018 dhe u bënë prindër të binjakëve në prill të vitit 2023, kur aktorja ishte 48 vjeçe. Në atë kohë, ajo ndau emocionet e saj me ndjekësit, duke publikuar një fotografi me të porsalindurit në krahë dhe duke treguar se rrugëtimi nuk kishte qenë i lehtë, por se gjithçka ia kishte vlejtur.

Gjatë viteve të fundit, Swank ka folur hapur edhe për përvojën e mëmësisë në një moshë më të madhe dhe për ndryshimet që ajo sjell në trupin dhe jetën e një gruaje. Në një intervistë për revistën Women’s Health, aktorja ka theksuar se për të rëndësi nuk ka rikthimi te trupi që kishte përpara shtatzënisë, por pranimi i ndryshimeve dhe përqafimi i versionit të ri të vetes.
Tashmë, familja duket se po përgatitet për një tjetër kapitull të bukur, ndërsa lajmi i shtatzënisë së tretë e ka kthyer sërish aktoren në qendër të vëmendjes./k.m
