Akademiku Artan Fuga ka reaguar përmes një mesazhi të fortë lidhur me protestat e studentëve dhe gjimnazistëve, duke theksuar se zëri i të rinjve që kërkojnë drejtësi, paqe sociale dhe luftë kundër korrupsionit duhet dëgjuar me respekt.
Fuga i cilëson studentët dhe gjimnazistët si ndër forcat më të emancipuara dhe të interesuara për të ardhmen e vendit, duke nënvizuar se ata kanë të drejtë të kërkojnë një Shqipëri që u ofron perspektivën që meritojnë, ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë.
Sipas akademikut, reagimi i politikës nuk duhet të përqendrohet te përpjekjet për të depërtuar apo infiltruar në radhët e protestuesve, por te gjetja e një zgjidhjeje të thellë politike, përtej interesave të ngushta partiake dhe burokratike.
Fuga u bën thirrje deputetëve të të gjitha forcave politike, veçanërisht atyre të dy partive më të mëdha parlamentare, ministrave dhe kryeministrit që të kuptojnë seriozitetin e situatës. Sipas tij, besimi i shoqërisë te klasa politike është dëmtuar, ndërsa paralajmërimet e përsëritura për problemet e sistemit politik, ekonomik, social dhe arsimor nuk janë marrë sa duhet në konsideratë.
Akademiku paralajmëron se krizat e njëpasnjëshme mund të vënë në rrezik stabilitetin e vendit, duke theksuar se Shqipëria dhe vlerat e një shoqërie moderne, të bazuar në të drejtat individuale dhe kolektive, qëndrojnë mbi çdo individ, post apo pushtet.
Në përfundim, Fuga kujton se mandatet politike burojnë nga vullneti i qytetarëve dhe jo nga ndonjë e drejtë e pakufizuar për të qeverisur. Ai paralajmëron se, nëse politika nuk e kupton këtë mesazh dhe nuk vepron, historia do ta bëjë përgjegjëse./ad
