Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka shprehur shqetësim për politikën e jashtme të Donald Trump në mandatin e dytë, duke argumentuar se kjo shënon një largim nga ato që ajo i quan vlera thelbësore amerikane.
Duke folur në një panel në Forumin e Dohas në Katar, Hillary Clinton akuzoi Trump-in se po mbështet pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke kritikuar rrallë Presidentin Vladimir Putin dhe duke ushtruar presion mbi Kievin drejt një marrëveshjeje armëpushimi.
“Mbështetja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në një mënyrë të tillë duke kritikuar shumë rrallë Putin për luftën kundër popullit ukrainas, ashtu edhe përpjekja për t’i detyruar ukrainasit të pranojnë një armëpushim të negociuar dhe një marrëveshje paqeje që do t’i bënte ata lehtësisht të cenueshëm ndaj një agresioni rus. Mos harroni, Rusia ka qenë në Ukrainë që nga viti 2014, kështu që kjo nuk filloi në vitin 2022”, tha Clinton.
Po nga forumi i Dohas ka ardhur një reagim nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, sa i përket strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
“Evropa e ka nënvlerësuar fuqinë e saj ndaj Rusisë. Ne duhet të jemi më të sigurt në vetvete. SHBA-ja është ende aleati ynë më i madh. Është në interesin e Shteteve të Bashkuara gjithashtu që Evropa të qëndrojë e fortë dhe të punojmë së bashku. Mendoj se nuk kemi qenë gjithmonë dakord për tema të ndryshme, por parimi i përgjithshëm është ende aty”, tha Kallas.
Në strategjinë e saj të re të sigurisë, SHBA-të pretendojnë, mes të tjerash, humbjen e demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Evropë./kb