Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar pasi në tabelën zyrtare të mirëseardhjes në kufirin shtetëror mungon gjuha shqipe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani publikoi një fotografi të tabelës ku mbishkrimi “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut” figuron vetëm në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, ndërsa shqipja është hequr.
Sipas Osmanit, ky veprim bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
“Gjuha shqipe është hequr nga tabela zyrtare e mirëseardhjes në kufirin e Maqedonisë së Veriut. Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë. Kushtetuta dhe ligji garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe. Heqja e saj nga një tabelë zyrtare shtetërore përbën paligjshmëri institucionale, diskriminim dhe provokim të qëllimshëm”, shkruan Osmani.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur çështja e zbatimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve vijon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me arsyet e mungesës së gjuhës shqipe në tabelën kufitare./kb
