Më 1 shkurt 1979, Ajatollah Ruhollah Khomeini u rikthye në Iran mes një pritjeje triumfale, pas 15 vitesh mërgimi të detyruar. Dy javë më parë, Shahu Mohammad Reza Pahlavi dhe familja e tij kishin braktisur vendin, duke i hapur rrugë një revolucioni që tashmë kishte marrë përmasa të pakthyeshme. Për miliona iranianë, kthimi i Khomeinit shënonte fundin e monarkisë dhe fillimin e një rendi të ri politik e fetar: Republikës Islamike.
Khomeini ishte biri i një dijetari fetar dhe, që në rini, ishte formuar në traditën rigorozë të islamit shiit, duke mësuar përmendësh Kuranin dhe duke u dalluar shpejt si klerik i devotshëm dhe predikues karizmatik. Me kalimin e viteve, ai u ngjit në hierarkinë informale shiite, duke grumbulluar rreth vetes një numër gjithnjë e më të madh ndjekësish, veçanërisht mes shtresave të pakënaqura dhe të rinjve.
Në vitin 1941, Irani u pushtua nga trupat britanike dhe sovjetike, të cilat detyruan abdikimin e Reza Shahut dhe vendosën në fron djalin e tij, Mohammad Reza Pahlavin, Shahun e dytë modern të vendit. I lidhur ngushtë me Perëndimin, Shahu nisi në vitin 1963 “Revolucionin e Bardhë”, një program reformash që synonte modernizimin e Iranit: rishpërndarjen e tokës, kufizimin e pasurive të klerit, zgjerimin e të drejtave të grave dhe reforma sociale e ekonomike.
Khomeini u shndërrua në zërin më të fortë fetar kundër këtyre reformave, duke i denoncuar ato si antislame dhe si shërbim ndaj interesave perëndimore. Nga qyteti i shenjtë i Qomit, ai bëri thirrje të hapura për përmbysjen e Shahut dhe krijimin e një shteti islamik. Në vitin 1963 u arrestua, çka shkaktoi trazira të mëdha popullore, ndërsa më 4 nëntor 1964 u dëbua nga Irani.
Ai u vendos fillimisht në Naxhaf, qytet i shenjtë shiit në Irak, ku vazhdoi predikimet e tij kundër regjimit, të regjistruara dhe të shpërndara fshehurazi në Iran. Ndikimi i tij u rrit ndjeshëm gjatë viteve ’70, teksa pakënaqësia ndaj Shahut u përhap në të gjitha shtresat shoqërore. Në vitin 1978, protestat masive tronditën vendin, dhe në dhjetor ushtria filloi të shkëputej nga regjimi. Më 16 janar 1979, Shahu u largua nga Irani, duke i dhënë fund sundimit të tij.
Me rikthimin e Khomeinit, pushteti u konsolidua me shpejtësi. Ai nisi transformimin rrënjësor të Iranit në një shtet teokratik, ku autoriteti fetar mbizotëronte mbi institucionet civile. Më 4 nëntor 1979, në përvjetorin e mërgimit të tij, studentë radikalë sulmuan ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë peng personelin diplomatik.
Me miratimin e Khomeinit, pengmarrësit kërkuan kthimin e Shahut në Iran. 52 amerikanë u mbajtën peng për 444 ditë, ndërsa Shahu vdiq në Egjipt në korrik 1980, pas një sëmundjeje të rëndë. Në dhjetor 1979, Irani miratoi një kushtetutë të re, e cila e shpalli Khomeinin udhëheqës suprem politik dhe fetar të vendit, me pushtet praktikisht të përjetshëm.
Nën sundimin e tij, të drejtat e grave u kufizuan ndjeshëm, mbajtja e shamisë u bë e detyrueshme, kultura perëndimore u ndalua dhe u rivendos ligji islamik i sharias, shpesh me dënime të rënda. Regjimi u tregua i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve politikë: mijëra disidentë u arrestuan, u gjykuan dhe u ekzekutuan gjatë dekadës së parë të Republikës Islamike.
Në vitin 1980, Iraku i Saddam Husseinit pushtoi provincën iraniane të Kuzestanit, të pasur me naftë. Pas sukseseve fillestare, forcat irakiane u zmbrapsën. Në vitin 1982, Iraku kërkoi armëpushim, por Khomeini vendosi të vazhdojë luftën. Konflikti shkatërrues Iran–Irak zgjati deri në vitin 1988, duke marrë qindra mijëra jetë.
Ajatollah Ruhollah Khomeini vdiq më 3 qershor 1989. Më shumë se dy milionë njerëz morën pjesë në funeralin e tij, një nga më të mëdhenjtë në historinë moderne. Në fillim të viteve 1990, Irani hyri gradualisht në një proces liberalizimi të kufizuar politik, i cili kulmoi me zgjedhjet e vitit 1997, kur president u zgjodh reformatori i moderuar Mohammad Khatami.
Përgatiti: L.Veizi
