Përgatiti: Leonard Veizi
Në orët e para të mëngjesit, në ishullin e burgut İmralı në Detin Marmara, u ekzekutua me varje ish-kryeministri i Turqisë, Adnan Menderes. Ai ishte 62 vjeç.
Vdekja e tij mbylli në mënyrë tragjike një dekadë që ndryshoi Turqinë moderne dhe hapi plagën më të thellë politike të historisë së saj.
Adnan Menderes kishte ardhur në pushtet më 22 maj 1950, si lideri i Partisë Demokratike, duke i dhënë fund sundimit njëpartiak 27-vjeçar të Partisë Popullore Republikane të themeluar nga Ataturku. Dhjetëvjeçari i tij u kujtua për liberalizimin ekonomik, afrimin me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarësimin e Turqisë në NATO në vitin 1952, por edhe për ndërtimin e xhamive dhe rikthimin e ezanit në arabisht.
Në vitet e fundit, qeverisja e tij u bë gjithnjë e më autoritare. Censura ndaj shtypit, shtypja e protestave studentore dhe krizat ekonomike krijuan pakënaqësi të madhe. Kjo pakënaqësi u shfrytëzua nga ushtria.
Më 27 maj 1960, Komiteti i Unitetit Kombëtar, i kryesuar nga gjenerali Cemal Gürsel, rrëzoi qeverinë me grusht shteti. Menderes, presidenti Celal Bayar dhe e gjithë kupola e Partisë Demokratike u arrestuan dhe u dërguan në ishullin Yassıada, në Detin Marmara.
Aty u organizua gjyqi më i madh politik në historinë turke. Për rreth 11 muaj, para një gjykate ushtarake, Menderes u akuzua për shkelje të Kushtetutës, korrupsion dhe shtypje të opozitës. Më 15 shtator 1961, gjykata dha vendimin: dënim me vdekje.
Dy ditë më parë, më 15 dhe 16 shtator, në të njëjtin vend ishin ekzekutuar dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: Fatin Rüştü Zorlu, ministri i Jashtëm që kishte negociuar anëtarësimin në NATO, dhe Hasan Polatkan, ministri i Financave.
Ekzekutimi i Menderesit tronditi Turqinë dhe u dënua nga opinioni ndërkombëtar. Ai u bë kryeministri i parë dhe i vetmi në historinë turke i ekzekutuar pas një grushti shteti ushtarak.
Vetëm 30 vjet më vonë, në vitin 1990, parlamenti turk e rehabilitoi figurën e tij dhe eshtrat e tij u transferuan me nderime shtetërore në një mauzoleum në Stamboll.
Sot, emri i tij mbahet nga aeroporti i Izmirit dhe dhjetëra institucione, si simbol i demokracisë së ndërprerë.
