Në vitin 1964, Qeveria e Italisë u gjend përballë një sfide të jashtëzakonshme: Kulla e Pizës, simboli i njohur i qytetit toskan, po bëhej gjithnjë e më e pjerrët dhe rrezikonte të rrënohej. Për të parandaluar katastrofën, u krijua një grup pune shumëkombësh, që përfshinte inxhinjerë, matematicienë dhe historianë. Ky grup u mblodh në ishujt Azore për të diskutuar metodat e stabilizimit të kullës dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
Përllogaritjet e tyre treguan se pjerrësia e kullës ishte rezultat i fundosjes së themeleve në njërën anë, një problem që ishte thelluar gradualisht gjatë shekujve. U propozuan metoda të ndryshme për të stabilizuar kullën, duke përfshirë edhe shtimin e një kundrëpeshë metali prej plumbi prej 800 tonësh. Falë këtyre ndërhyrjeve dhe monitorimeve të kujdesshme, Kulla e Pizës është stabilizuar sot dhe pritet të qëndrojë për të paktën 200 vitet e ardhshme.
Në lidhje me histori të tjera, është thënë se Galileo Galilei hodhi nga kulla dy gjyle topi me madhësi të ndryshme për të demonstruar se shpejtësia e rënies ishte e pavarur nga përmasa. Megjithatë, kjo ngjarje nuk është vërtetuar, pasi burimi i vetëm ishte sekretari i Galileos.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aleatët zbuluan se gjermanët përdornin kullën si pikë vrojtimi. Një oficeri i ushtrisë amerikane i dërguar për të konfirmuar praninë e trupave gjermane, u impresionua aq shumë nga bukuria e katedrales dhe kullës sa që anuloi urdhërin për sulm me artileri, duke shmangur shkatërrimin e mundshëm të këtij monumenti unik.
Më vonë, në 1987, Kulla e Pizës u shpall nga UNESCO pjesë e Trashëgimisë Botërore të Kulturës, duke njohur vlerën e saj historike dhe arkitektonike. Sot, ajo qëndron jo vetëm si një simbol i Pizës, por edhe si dëshmi e aftësisë njerëzore për të ruajtur historinë, për të mësuar nga gabimet e së shkuarës dhe për të bashkuar shkencën me artin për të mbrojtur trashëgiminë kulturore.
Përgatiti: L.Veizi
