Varshavë, 13 dhjetor 1981 – Në orët e para të mëngjesit, Polonia u zgjua nën regjimin e Ligjit Ushtarak, i shpallur nga Gjenerali Wojciech Jaruzelski, një ndër momentet më dramatike të historisë së vendit gjatë epokës komuniste. Masa, e njohur gjithashtu si Ligji Marcial, u prezantua nga Jaruzelski dhe ministri i Brendshëm Czesław Kiszczak, me arsyetimin zyrtar për të “stabilizuar” vendin përballë tensioneve të brendshme.
Në të vërtetë, shpallja e ligjit ushtarak synonte frenimin e rritjes së ndikimit të lëvizjes sindikaliste Solidarnost (Solidariteti), e udhëhequr nga Lech Wałęsa, e cila brenda pak muajsh ishte shndërruar në një forcë të fuqishme sociale dhe politike. Me më shumë se 10 milionë anëtarë, Solidarnosti përfaqësonte sfidën më serioze ndaj qeverisjes komuniste të Polonisë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ligji ushtarak solli pasoja të menjëhershme: mijëra aktivistë u arrestuan, qindra organizata u shpërbënë dhe vendi hyri në një regjim të rreptë kontrolli. Kufizimet e lëvizjes, ndalimi i grevave dhe censura totale e mediave e zhytën Poloninë në një atmosferë shtypjeje të thellë, ndërsa tanket patrullonin rrugët e qyteteve kryesore.
Në planin afatgjatë, megjithëse Ligji Marcial dobësoi përkohësisht Solidarnostin, ai nuk arriti të shkatërronte aspiratat demokratike të shoqërisë polake. Përkundrazi, represioni i vitit 1981 u kthye në një pikë kthese: vetëm tetë vite më vonë, në 1989, Polonia do të bëhej vendi i parë të bllokut lindor që do të hynte në negociata të drejtpërdrejta me opozitën, duke çuar në rënien e komunizmit.
Shpallja e ligjit ushtarak mbetet sot një nga episodet më të errëta dhe më të debatuara të historisë polake, një përplasje mes autoritarizmit dhe vullnetit popullor për liri.
Përgatiti: L.Veizi
