Last Updated on 30/05/2026 by Anisa
Mjeku dhe eksperti i shëndetit, Erion Dasho ka bërë një reagim në rrjetet sociale dhe analizon deklaratën e zëvendësministres Eugena Tomini për protokollin e hormoneve, sepse ajo është firmëtare e udhëzimit dhe dje Ministria e Shëndetësisë publikoi një sqarim me video të saj.
“Në 1 minutë e 19 sekonda video janë të paktën dy mashtrime lehtësisht të verifikueshme. Ndërkohë Portali shqiptarja.com i referohet Zj. Tomini edhe të ketë thënë se “trajtimi nuk rekomandohet që në fëmijëri”, çka do të përbënte edhe mashtrimin e tretë”, shkruan mjeku.
Ai e ka studiuar protokollin dhe zbërthen këto tre mashtrime që tentohet të fshihen me rreshtash apo të paraqesin një realitet të gënjeshtërt, ndryshe nga realiteti që është shkruar e zeza mbi të bardhë. Sqarimi si më poshtë:
》Mashtrimi Nr. 1: rimbursimi
“Në intervistë zv. Ministrja deklaron se udhëzuesi nuk përcakton skema rimbursimi, ndërkohë që në vendimin e firmosur prej saj, ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me zbatimin e vendimit. Nëse terapia nuk do të rimbursohet, përse ngarkohet FSDKSH-ja me zbatimin e vendimit?!”
》Mashtrimi Nr. 2: grupi multidisiplinor
“Në video, zv. Ministrja përmend se protokolli është hartuar nga një grup multidisiplinor me pjesëmarrje klinicist, profesionist psikosocial dhe të shëndetit mendor. Ndërkohë në vendimin e firmosur prej saj, i ashtuquajturi “grup” përbëhet nga vetëm dy persona, të dy mjekë endokrinologë!”
》Mashtrimi Nr. 3: fëmijët
“Pikërisht bërja e fëmijëve pjesë e këtij protokolli kontrovers është edhe pika që ka shkaktuar zemërimin më të madh dhe reagimin më të fortë publik. Portali i referohet zv. Ministres të ketë thënë se trajtimi nuk rekomandohet që në fëmijëri.
Ndërkohë në faqen 12 të protokollit ka një paragraf të tërë që flet për pasojat e aplikimit të kësaj terapie tek fëmijët, çka nënkupton se terapia do t’u ofrohet edhe fëmijëve. Edhe më alarmante është fjalia e fundit, sipas të cilës jo trajtimi, por mungesa e tij mund të jetë e dëmshme për fëmijën!!!”
“Kjo mënyrë të shprehuri është kambanë alarmi, pasi praktikisht i vendos mjekët nën presion për të nisur sa më parë trajtimin. Zonja Tomini dhe boratët e tjerë të shëndetësisë po mundohen të mbulojnë me shoshë një diell të pambulueshëm!
Ata kanë miratuar nxitimthi një dokument me pjesë të tëra të përkthyer keq nga ndonjë gjuhë e huaj, të hartuar nga një “grup” me vetëm dy pjesëtarë, të mbushura me fraza plot helm, siç është ajo për trajtimin e fëmijëve, dhe të miratuar jo me firmë të ministres, por me firmë të zëvendëses së saj.
Pyetja, përgjigjen e së cilës e presin shqiptarët, është: Nga janë nxitur boratët për të miratuar këtë protokoll famëkeq dhe në shërbim të kujt janë?!”, përmbyll mjeku Erion Dasho.
