Në mëngjesin e akullt të 27 janarit 1945, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po hynte në aktin e saj të fundit, një njësi e Ushtrisë së Kuqe – Divizioni i 322-të i Frontit të Parë Ukrainas – hyri në territorin e kampit të përqendrimit dhe shfarosjes Auschwitz-Birkenau, në Poloninë e pushtuar. Ajo që gjetën ushtarët sovjetikë nuk ishte thjesht një kamp i braktisur, por dëshmia më e errët e krimit industrial kundër njerëzimit.
Nazistët, në tërheqje e sipër, kishin evakuuar me marshime vdekjeje dhjetëra mijëra të burgosur drejt perëndimit, duke lënë pas vetëm rreth 7 mijë njerëz: skelete të gjalla, të sëmurë, fëmijë dhe pleq, që nuk kishin më forcë as të iknin, as të vdisnin. Ata u gjetën mes barakave të shkatërruara, telave me gjemba dhe oxhaqeve të krematoriumeve që ende mbanin erën e vdekjes.
Auschwitz nuk ishte një kamp i zakonshëm. I ngritur fillimisht në vitin 1940 si kamp internimi, ai u shndërrua shpejt në qendrën më të madhe të makinerisë naziste të shfarosjes. Kompleksi përfshinte Auschwitz I, Auschwitz II – Birkenau dhe Auschwitz III – Monowitz, si dhe dhjetëra nënkampe. Pikërisht në Birkenau u ndërtuan dhomat e gazit dhe krematoriumet, ku vdekja u kthye në proces të organizuar, të matshëm dhe të përditshëm.
Nga viti 1939 deri në 1945, sipas vlerësimeve historike, rreth 1.1–1.2 milionë njerëz u vranë në Auschwitz. Pothuajse gjysma ishin hebrenj, viktima të Holokaustit, por mes tyre kishte edhe romë, polakë, rusë, të burgosur politikë, persona me aftësi të kufizuara dhe kundërshtarë të regjimit nazist. Ata u mbytën me gaz Zyklon B, u dogjën në krematoriume, u vranë nga uria, sëmundjet, puna çnjerëzore apo ekzekutimet arbitrare.
Kur ushtarët sovjetikë hapën portat e kampit, ata gjetën edhe prova të pamohueshme të krimit: tonelata flokësh njerëzish, mijëra palë këpucë, valixhe me emra, proteza, syze dhe rroba fëmijësh. Çdo objekt ishte një jetë e shuar, një histori e ndërprerë brutalisht.
Çlirimi i Auschwitz-it nuk i dha fund menjëherë vuajtjes së të mbijetuarve. Shumë prej tyre vdiqën edhe pas çlirimit nga pasojat e urisë dhe sëmundjeve. Por ajo ditë shënoi një kthesë historike: për herë të parë, bota pa me sytë e saj përmasat reale të Holokaustit dhe krimin e paparë të nazizmit.
Sot, 27 janari përkujtohet ndërkombëtarisht si Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Jo vetëm për të nderuar viktimat, por për të kujtuar se Auschwitz-i nuk është thjesht një vend në hartë apo një kapitull historie. Ai është një paralajmërim i përhershëm se deri ku mund të arrijë urrejtja, racizmi dhe çnjerëzimi, nëse harresa dhe indiferenca marrin vendin e kujtesës dhe përgjegjësisë.
Përgatiti: L.Veizi
