Përgatiti: Leonard Veizi
93 rumunë dhe hebrenj u vranë në fshatin e Transilvanisë, ndërsa ushtria hungareze po merrte kontrollin e territorit të rikthyer nën Hungari
Më 9 shtator 1940, në një fshat të vogël të Transilvanisë Veriore, historia e madhe e Evropës u përplas me jetën e njerëzve të zakonshëm. Në Treznea, në atë kohë pjesë e Transilvanisë Veriperëndimore, 93 civilë rumunë dhe hebrenj u vranë në një nga episodet më të rënda të dhunës që shoqëroi rikthimin e administrimit hungarez në këtë territor.
Ishte një periudhë kur kufijtë po ndryshonin me shpejtësi dhe nacionalizmi po ushqente armiqësi të vjetra. Vetëm pak ditë më parë, pas Diktatit të Vjenës, Rumania kishte humbur Transilvaninë Veriore në favor të Hungarisë. Trupat hungareze po hynin në qytete e fshatra të territorit të ri, ndërsa popullsia lokale përjetonte një ndryshim të menjëhershëm të pushtetit.
Në këtë klimë tensioni ndodhi ajo që historia do ta regjistronte si Masakra e Trezneas.
Devijimi prej katër kilometrash
Ngjarja lidhet me Batalionin e 22-të të Rojeve Kufitare hungareze “Debrecen”, të komanduar nga nënkoloneli Ákosy. Sipas dëshmive dhe burimeve historike, njësia nuk vazhdoi thjesht përgjatë itinerarit të saj, por devijoi rreth katër kilometra nga rruga Zalëu–Çiumërna–Hida, duke u drejtuar drejt Trezneas.
Pikërisht ky devijim ka mbetur një nga pikat më të debatueshme të ngjarjes.
Nëse bëhej fjalë për një lëvizje rutinë të trupave që po merrnin në dorëzim territorin, pse duhej të largohej njësia nga rruga e saj dhe të hynte në fshat? Përgjigjja nuk është e njëjtë në të gjitha burimet.
Kur ushtarët mbërritën në Treznea, situata doli jashtë kontrollit. Banorë të fshatit u qëlluan dhe u vranë. Në mesin e viktimave kishte burra, gra dhe fëmijë. U vranë 87 rumunë dhe 6 hebrenj, duke e çuar numrin e viktimave në 93.
Dhuna nuk u kufizua vetëm te vrasjet. Kisha ortodokse e fshatit u dëmtua dhe u dogj, ndërsa prifti ortodoks vendas, Traian Kosteja, u vra dhe u dogj në kishën e tij.
Mes të vrarëve ishin edhe mësuesi rumun Lazar Kosma dhe bashkëshortja e tij, Aurelia Kosma. Viktimat nuk ishin pjesë e ndonjë beteje. Ishin banorë të një fshati që ndodhej në mes të një konflikti politik dhe etnik që ishte shumë më i madh se vetë fshati.
Hakmarrje apo masakër?
Pikërisht këtu fillon një nga pjesët më të ndërlikuara të historisë së Trezneas.
Disa historianë hungarezë kanë argumentuar se vrasjet ishin një hakmarrje. Sipas këtij versioni, trupat hungareze ishin qëlluar nga banorë vendas dhe prifti ortodoks rumun i kishte nxitur ata kundër ushtarëve.
Ky version është kundërshtuar nga dëshmi të tjera dhe nuk është pranuar pa rezerva nga historianët. Dëshmitë e dëshmitarëve nuk japin një tablo të qartë të një beteje apo të një sulmi të organizuar nga popullsia e fshatit që do të mund të justifikonte përmasat e hakmarrjes.
Edhe mënyra se si u zhvillua ngjarja ngre pikëpyetje. Disa dëshmitarë kanë pohuar se jo të gjithë personat që morën pjesë në dhunë ishin të veshur me uniformën e plotë ushtarake dhe se disa prej tyre ishin të dehur. Kjo ka hapur edhe pyetjen nëse të gjithë autorët e akteve të dhunës ishin pjesë e strukturës së rregullt të ushtrisë hungareze apo nëse në masakër morën pjesë edhe persona të tjerë.
Por një fakt mbetet: civilët u vranë.
Dhe pikërisht këtu argumenti i hakmarrjes bëhet gjithmonë problematik. Edhe nëse do të kishte pasur një sulm ndaj trupave, vrasja e civilëve të pambrojtur nuk mund të shndërrohet në një akt të zakonshëm ushtarak.
Plaga e pronave
Një tjetër shpjegim i rëndësishëm lidhet me historinë e tokës dhe pronës.
Në vitet 1920, pas bashkimit të Transilvanisë me Rumaninë, një pjesë e madhe e pronave të aristokracisë hungareze iu nënshtrua reformave agrare. Në Treznea, një pjesë e tokave që kishin qenë në pronësi të fisnikut lokal Ferenc Baj iu shpërndanë ose iu morën fshatarëve.
Sipas dëshmive dhe interpretimeve të disa historianëve, pikërisht ky konflikt i vjetër mbi pronën mund të ketë luajtur rol në atë që ndodhi më 9 shtator. Përkrahësit e këtij shpjegimi vënë në dukje se dhuna u drejtua veçanërisht ndaj fshatarëve që jetonin në tokat e ish-pronarit.
Në këtë mënyrë, një konflikt i vjetër social dhe pronësor u përplas me një konflikt të ri territorial e etnik.
Dhe kur këto dy lloj konfliktesh takohen, historia zakonisht bëhet shumë më e rrezikshme.
Edhe hungarezët kundër masakrës
Një detaj që shpesh humbet në rrëfimet nacionaliste është se dhuna nuk u mbështet domosdoshmërisht nga të gjithë banorët hungarezë të zonës.
Sipas disa dëshmive, disa banorë hungarezë të Trezneas u përpoqën ta ndalonin masakrën. Përpjekja e tyre, megjithatë, nuk pati sukses. Madje, sipas këtyre rrëfimeve, disa prej tyre u ndoqën dhe u rrahën.
Ky detaj është i rëndësishëm sepse historia e një masakre nuk mund të ndahet thjesht në dy kampe etnike: “ata” dhe “ne”. Brenda një komuniteti mund të ketë viktima, autorë, kundërshtarë të dhunës dhe njerëz që përpiqen ta ndalojnë atë.
Masakrat nuk janë vepër e një etnie. Janë vepër e njerëzve që, në një moment të caktuar, besojnë se identiteti i tyre u jep të drejtën të vendosin kush duhet të jetojë dhe kush duhet të vdesë.
Treznea në hijen e vitit 1940
Masakra e Trezneas nuk ndodhi në një vakum. Ajo ishte pjesë e një periudhe të jashtëzakonshme tensioni në Transilvaninë Veriore. Ndryshimi i kufijve solli bashkë me të edhe ndryshimin e administratës, frikën, hakmarrjet, dëbimet dhe konfliktet mes komuniteteve rumune dhe hungareze.
Territori që deri dje ishte nën administrimin rumun tani po kalonte nën administrimin hungarez. Për shumë rumunë, kjo nënkuptonte humbjen e sigurisë dhe frikën nga diskriminimi ose hakmarrja. Për shumë hungarezë, rikthimi i territorit nën Hungari shihej si korrigjimi i një padrejtësie historike.
Por kufijtë në hartë ndryshojnë me një vijë. Jeta e njerëzve nuk ndryshon kaq lehtë.
Në Treznea, më 9 shtator 1940, ky konflikt i madh u shndërrua në një tragjedi konkrete: 93 njerëz nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre.
Një fshat, një kujtesë
Sot Masakra e Trezneas mbetet pjesë e kujtesës së dhimbshme të marrëdhënieve rumuno-hungareze dhe e historisë së trazuar të Transilvanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por ndoshta mësimi më i madh i kësaj ngjarjeje nuk gjendet te debati se kush kishte më shumë të drejtë mbi territorin. As te përpjekja për të gjetur një justifikim politik për vrasjet.
Një hartë mund të ndryshojë ngjyrë. Një flamur mund të hiqet dhe një tjetër të ngrihet. Një qytet mund të ndryshojë administratë brenda një dite. Por një njeri i vrarë nuk rikthehet më në asnjë hartë.
Treznea është një nga ato ngjarje ku historia e Evropës së shekullit XX të kujton se nacionalizmi, kur bashkohet me frikën, hakmarrjen dhe armët, nuk mbetet më ideologji. Bëhet plumb.
Dhe atëherë, zakonisht, viktimat janë ata që nuk kanë pasur asnjë rol në hartimin e kufijve.
