Në janar të vitit 1990, Azerbajxhani u bë një nga skenat më të dhunshme të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ajo që nisi si një lëvizje masive protestash kundër pushtetit sovjetik dhe për pavarësi kombëtare, përfundoi në një nga episodet më të errëta të historisë së vonë të rajonit: ngjarjet e njohura si “E Shtuna e Zezë” ose “Masakra e Janarit”.
Në fund të viteve ’80, Perestrojka dhe Glasnost-i i nisur nga Mihail Gorbaçovi kishin dobësuar kontrollin qendror të Moskës mbi republikat sovjetike. Në Azerbajxhan, kjo periudhë u shoqërua me rritjen e ndjenjave nacionaliste, pakënaqësi të thella ekonomike dhe tensione të forta etnike, veçanërisht për shkak të konfliktit të Nagorno-Karabakut me Armeninë. Fronti Popullor i Azerbajxhanit u shndërrua në forcën kryesore opozitare, duke kërkuar reforma radikale dhe, gjithnjë e më hapur, shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik.
Në këtë klimë të ndezur politike, në fillim të janarit 1990 shpërthyen protesta masive në Baku dhe qytete të tjera. Demonstratat, fillimisht paqësore, morën shpejt një karakter të dhunshëm, ndërsa autoritetet sovjetike humbnin kontrollin mbi situatën. Në Moskë, udhëheqja e Kremlinit e pa zhvillimin e ngjarjeve si një kërcënim serioz për integritetin e Bashkimit Sovjetik dhe vendosi të reagojë me forcë.
Natën mes 19 dhe 20 janarit 1990, trupat e Ushtrisë Sovjetike, njësi të Ministrisë së Brendshme dhe forca speciale hynë në Baku. Pa paralajmërim të qartë për popullsinë dhe në kushtet e një gjendjeje të jashtëzakonshme të shpallur de facto, tanket dhe automjetet e blinduara përshkuan rrugët e qytetit. Ushtarët hapën zjarr ndaj turmave, automjeteve civile dhe banesave, duke goditur një popullsi kryesisht të paarmatosur.
Bilanci ishte tragjik. Sipas burimeve zyrtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut, mbi 130 civilë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën. Mes viktimave kishte gra, fëmijë dhe të moshuar. Spitalet u mbushën me të plagosur, ndërsa qyteti u zhyt në zi, frikë dhe zemërim. Mediat u censuruan, komunikimet u ndërprenë dhe Baku u vendos nën kontroll ushtarak.
Për autoritetet sovjetike, operacioni u justifikua si një masë e domosdoshme për të rivendosur rendin dhe për të parandaluar “kaosin” dhe shpërbërjen e shtetit. Por për popullin e Azerbajxhanit, Janari i Zi u përjetua si një masakër e qëllimshme ndaj civilëve dhe si prova përfundimtare se Bashkimi Sovjetik nuk ishte më i reformueshëm.
Ngjarjet e 19–20 janarit 1990 shënuan një pikë kthese historike. Në vend që të ndalnin lëvizjen për pavarësi, ato e forcuan edhe më shumë. Dy vjet më vonë, në vitin 1991, Azerbajxhani shpalli zyrtarisht pavarësinë e tij. Viktimat e “Masakrës së Janarit” u kthyen në simbol të sakrificës kombëtare, ndërsa çdo vit, më 20 janar, vendi ndalet për të përkujtuar “E Shtunën e Zezë”.
Janari i Zi i Baku-së mbetet një nga episodet më të dhimbshme të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe një kujtesë se fundi i perandorive shpesh shoqërohet me dhunë, gjakderdhje dhe tragjedi njerëzore.
Përgatiti: L.Veizi
