Në vitet 1920, mjeku gjerman Magnus Hirschfeld ishte një nga pionierët e parë që u ofroi ndihmë njerëzve që ndienin se identiteti i tyre gjinor nuk përputhej me seksin e përcaktuar në lindje. Por veprimtaria e tij do të përplasej me homofobinë dhe përndjekjen naziste.
Mjeku gjerman Magnus Hirschfeld ishte një pionier i luftës kundër diskriminimit seksual. Historia e tij, si dhe ajo e ndërhyrjeve të para kirurgjikale për ndryshimin e seksit, vjen përmes artikullit “Klinika e parë e ndryshimit të seksit”, të Elisa Vencos, botuar në arkivat e Focus Storia.
PIONIERI
Më 6 korrik 1919, në Berlin u inaugurua Institut für Sexualwissenschaft – Instituti i Seksologjisë. Ai përfaqësonte një hap themelor në historinë e luftës kundër diskriminimit seksual. Megjithatë, pak njihnin themeluesin e tij, mjekun gjerman Magnus Hirschfeld (1868–1935). Akoma më të paktë ishin ata që e dinin se ku ndodhej ndërtesa ku, më shumë se një dekadë më vonë, do të kryheshin ndërhyrjet e para kirurgjikale për ndryshimin e seksit: një vilë në lagjen Tiergarten, ku çdo vit dyndeshin mijëra pacientë.
TABUTË SEKSUALE
Hirschfeld nuk merrej vetëm me homoseksualitetin dhe transvestizmin. Ai ishte ndër të parët që përdori termin “transvestit”, në esenë e tij të vitit 1910. Interesat e tij shkonin edhe te edukimi seksual, infertiliteti, kontracepsioni dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme – tema që në atë kohë konsideroheshin tabu.
Ideja për themelimin e institutit kishte lindur rreth dy dekada përpara inaugurimit të tij, e nxitur nga një tragjedi personale që do ta prekte thellë mjekun.
SIGURIA
Një mbrëmje të vitit 1896, Hirschfeld gjeti një oficer gjerman duke e pritur në hyrje të banesës së tij. Oficeri ishte një pacient që mjeku e kishte trajtuar për atë që ishte diagnostikuar si “depresion”. Por pas gjendjes së tij fshihej diçka tjetër: tërheqja ndaj burrave, diçka e papranueshme për pjesën më të madhe të shoqërisë së kohës, aq më tepër për një ushtarak.
Në pamundësi për t’i rezistuar ndjenjave të tij, në prag të martesës oficeri kishte ardhur t’i rrëfente mjekut “turpin” që mbante mbi vete. Pak ditë më vonë, ai kreu vetëvrasje. Në një letër që i la Hirschfeldit shkruante se mendimi se mund të kontribuonte për një të ardhme, në të cilën atdheu gjerman do t’i shihte njerëzit si ai me më shumë drejtësi, ia ëmbëlsonte orën e vdekjes.
SHKENCA PËRBALLË PARAGJYKIMIT
I goditur nga fjalët e oficerit, një vit më vonë Hirschfeld themeloi Komitetin Shkencor-Humanitar, me synimin për të mbrojtur të drejtat e homoseksualëve dhe, mbi të gjitha, për të kërkuar shfuqizimin e të ashtuquajturit Paragrafi 175.
Ky paragraf, pjesë e kodit penal gjerman që nga viti 1871, kriminalizonte marrëdhëniet seksuale mes burrave. Për shkelësit parashikohej edhe dënimi me burg. Vetë Hirschfeldi u bë objekt sulmesh dhe përbuzjeje. Në qarqet shkencore u mbiquajt me ironi “Ajnshtajni i seksit”, ndërsa në klubet homoseksuale të Berlinit thirrej “Halla Magnezia”.
Deri në vitet 1930, ligji zbatohej relativisht rrallë, pasi për një dënim kërkohej një rrëfim ose prova. Meqenëse bëhej fjalë kryesisht për marrëdhënie konsensuale, këto prova shpesh mungonin. Por ekzistenca e ligjit mbetej një kërcënim.
Për shfuqizimin e tij, Hirschfeld mblodhi më shumë se 5 mijë nënshkrime, mes tyre edhe të shkencëtarit Albert Einstein dhe shkrimtarëve Alfred Döblin e Hermann Hesse. Kur peticioni mbërriti në Parlament, në vitin 1898, ai u mbështet vetëm nga një pakicë e deputetëve socialdemokratë.
I GODITUR, POR JO I THYER
Përmes Komitetit Shkencor-Humanitar, Hirschfeld filloi të mblidhte të dhëna dhe të shpërndante materiale shkencore në trena dhe vende publike, me synimin për të luftuar paragjykimet. Ai përpiqej, për shembull, t’u shpjegonte prindërve të fëmijëve homoseksualë se orientimi seksual nuk duhej parë si një sëmundje apo turp.
Në një prej botimeve të tij shtrohej edhe pyetja: “Çfarë duhet të dinë njerëzit për seksin e tretë?”, ku trajtoheshin edhe çështje që sot lidhen me identitetin transgjinor.
Hirschfeld shpresonte se botimet dhe kërkimet e tij do të zbusnin qëndrimin armiqësor të shoqërisë ndaj njerëzve që nuk ishin heteroseksualë.
Ai madje u përfshi në realizimin e filmit Anders als die Andern (Ndryshe nga të tjerët, 1919), një nga filmat e parë që trajtoi hapur homoseksualitetin. Filmi rrëfente historinë e një violinisti homoseksual, i cili shantazhohet për të mos zbuluar orientimin e tij dhe, në fund, kryen vetëvrasje – një fat tragjik që të kujtonte atë të oficerit që kishte kërkuar ndihmën e Hirschfeldit.
I KONTESTUAR
Fushata e ndërgjegjësimit nuk kalonte pa kundërshtime. Në vitin 1921, në përfundim të një konference, Hirschfeld u godit me një gur dhe pësoi një dëmtim të rëndë në kokë.
Disa ditë më vonë, një gazetë ultranacionaliste shkruante me kënaqësi se mjeku ishte plagosur rëndë dhe shprehte keqardhje që ai kishte mbijetuar. Sulmi verbal ishte po aq brutal sa edhe ai fizik: Hirschfeld paraqitej si një “helmues” i popullit gjerman dhe si një figurë që duhej zhdukur.
FILLIMI I FUNDİT
Fundi do të vinte me ngritjen e nazizmit. Adolf Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë në janar 1933 dhe, pak nga pak, Berlini liberal e transgresiv i viteve 1920 filloi të zhdukej.
Në kryeqytetin gjerman kishte qindra klube ku mblidheshin homoseksualë dhe lezbike. Kjo atmosferë e lirë dhe provokuese është përshkruar me forcë edhe nga shkrimtari britanik Christopher Isherwood në romanin Mirupafshim në Berlin, që më vonë do të frymëzonte muzikalin Kabare dhe filmin e vitit 1972 me të njëjtin emër.
QASJA SHKENCORE
Kjo klimë lirie i detyrohej, pjesërisht, edhe punës së Hirschfeldit. Ai ishte ndër të parët që u përpoqën ta trajtonin homoseksualitetin dhe transvestizmin nga një këndvështrim shkencor dhe jo thjesht moral.
Sipas historianes Laurie Marhoefer, në librin Sex and the Weimar Republic, Hirschfeld argumentonte se shkenca, dhe jo morali fetar, duhej të udhëhiqte mënyrën se si shteti dhe shoqëria i përgjigjeshin seksualitetit.
Për rreth dy dekada, ai arriti madje të bindte policinë që t’u jepte transvestitëve të të dyja gjinive një lloj “leje maskimi”. Dokumenti i mbronte nga gjobat ose burgimi që mund t’u shqiptohej për prishje të rendit publik.
Për Hirschfeldin, mënyra e pazakontë e veshjes nuk ishte domosdoshmërisht një shfaqje e devijimit seksual. Ai e shihte atë si shprehje të një gjendjeje të veçantë psikologjike dhe seksuale.
NDËRHYRJET E PARA
Duke pranuar se disa njerëz mund të ndienin se i përkisnin një gjinie të ndryshme nga ajo që u ishte përcaktuar në lindje, Hirschfeld mendonte se shkenca duhej t’u jepte mundësinë për t’iu afruar sa më shumë identitetit të tyre gjinor.
Kështu u hap rruga edhe për ndërhyrjet kirurgjikale. Në vitin 1930, në bashkëpunim me kirurgun Ludwig Levy-Lenz, u krye një nga ndërhyrjet e para të këtij lloji.
Pacienti ishte danezi Einar Wegener, i cili më vonë do të njihej si Lili Elbe. Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën dhe u trajtua edhe në filmin The Danish Girl (2015).
Detajet e ndërhyrjes së parë mbeten pjesërisht të paqarta, veçanërisht në lidhje me atë nëse në atë fazë u hoqën vetëm testikujt apo edhe penisi. Pas ndërhyrjeve, Einar Wegener filloi të jetonte si Lili Elbe dhe u nda nga gruaja e tij, Gerda.
Pasuan operacione të tjera dhe përpjekje kirurgjikale gjithnjë e më të avancuara. Lili Elbe vdiq më 13 shtator 1931, pas komplikimeve që lidhen me një ndërhyrje për transplantimin e mitrës.
VAGINOPLASTIKA
Disa muaj më herët, në qershor 1931, Dora Richter, e cila kishte lindur me emrin Rudolph dhe punonte si shërbëtore në institutin e Hirschfeldit, iu nënshtrua një prej ndërhyrjeve të para të plota për afirmimin kirurgjikal të gjinisë, përfshirë vaginoplastikën.
Këto ndërhyrje u kryen në vitet e fundit të veprimtarisë së Institutit të Seksologjisë, në një kohë kur Hirschfeldi po përballej gjithnjë e më shumë me armiqësinë e simpatizantëve nazistë.
Për nazistët, ai përfaqësonte gjithçka që ata e kundërshtonin: ishte hebre, homoseksual, liberal dhe pacifist.
IDEOLOGJIA NAZISTE
Hirschfeld argumentonte se homoseksualiteti ishte i lindur dhe nuk përbënte një gjendje “të panatyrshme”. Nazistët mendonin të kundërtën. Për ideologjinë e tyre, homoseksualiteti ishte shenjë e një “degjenerimi” kulturor dhe biologjik që kërcënonte familjen patriarkale dhe e largonte mashkullin arian nga detyra për të lindur fëmijë për kombin.
REPRESIONI
Më 6 maj 1933, ndërsa Hirschfeld ndodhej jashtë Gjermanisë, Instituti i Seksologjisë u sulmua nga studentë nazistë. Ata sekuestruan materiale dhe dokumente, përfshirë të dhëna personale të pacientëve.
Rreth 20 mijë libra dhe vëllime u morën nga biblioteka dhe arkivat, së bashku me fotografi, emra dhe adresa. Fati i këtyre të dhënave u bë veçanërisht i rrezikshëm, pasi ato mund të përdoreshin për identifikimin dhe përndjekjen e homoseksualëve dhe personave të tjerë të konsideruar “të padëshirueshëm” nga regjimi.
ZJARRI
Natën e 10 majit 1933, shumë prej librave të bibliotekës së institutit u dogjën publikisht në Berlin, së bashku me libra të autorëve hebrenj dhe intelektualëve të tjerë të shpallur armiq të regjimit.
Ishte një nga skenat më simbolike të shkatërrimit kulturor të Gjermanisë naziste.
Hirschfeld e pa djegien e librave të tij në një film kronikal. Ai nuk u kthye më në Gjermani. Vdiq në Nice të Francës në vitin 1935, pa e parë më institutin që kishte ngritur dhe pa mundur të kthehej në vendin e tij.
HOMOFOBIA NAZISTE
Midis 30 qershorit dhe 2 korrikut 1934, gjatë asaj që u bë e njohur si “Nata e thikave të gjata”, regjimi nazist ndërmori një valë vrasjesh dhe arrestimesh kundër drejtuesve të SA-së, organizatës paraushtarake naziste, si dhe kundërshtarëve të tjerë politikë.
Mes viktimave ishte Ernst Röhm, drejtuesi i SA-së dhe një homoseksual i njohur. Konflikti mes Hitlerit dhe Röhmit ishte në thelb një luftë për pushtet brenda regjimit, por propaganda naziste e përdori homoseksualitetin e Röhmit për të justifikuar spastrimin.
Pas vitit 1934, përndjekja e homoseksualëve u intensifikua ndjeshëm. Numri i dënimeve sipas Paragrafit 175 u rrit nga rreth 800 në vitin 1932 në më shumë se 8 mijë në vitin 1937.
TREKËNDËSHI ROZË
Sipas historianit Robert Beachy, autor i librit Gay Berlin: Birthplace of a Modern Identity, rreth 50 mijë burra u dënuan sipas Paragrafit 175 gjatë periudhës naziste, ndërsa mijëra homoseksualë u dërguan në kampe përqendrimi.
Në kampe, të burgosurit homoseksualë identifikoheshin me një shenjë të veçantë në uniformë: trekëndëshin rozë.
Nga një institut që kërkonte ta trajtonte seksualitetin me gjuhën e shkencës, deri te librat e djegur në sheshet e Berlinit dhe njerëzit e shënuar me trekëndëshin rozë, historia e Magnus Hirschfeldit tregon se sa e brishtë mund të jetë liria kur shkenca, politika dhe paragjykimi përplasen në të njëjtën kohë.
