Dizajneri i Hitlerit ishte Hugo Ferdinand Boss: duke filluar nga viti 1925, ai bëri kompromis me regjimin nazist, duke rënë dakord të prodhonte uniformat e SS-së dhe të Führer-it.
Çizme të zeza me shkëlqim, një xhaketë mbi pantallona (gjithmonë të zeza) dhe një shirit krahu i kuq i ndezur me një svastikë. Në kapelë, poshtë shqiponjës gjermane, një kafkë argjendi. Uniformat e SS-së – Schutzstaffel, e formuar në vitin 1925 për të mbrojtur Adolf Hitlerin dhe nazistë të tjerë të rangut të lartë – u krijuan me qëllimin e saktë për të mbjellë frikë dhe për të bërë përshtypje te ata që gjendeshin përballë njerëzve të njohur me nofkën “Kalorësit e Zinjtë të Himmler-it”, sipas komandantit të tyre.
Uniformë simbolike
Ishte vetë Führer-i ai që i donte në këtë mënyrë dhe ua diktoi idetë e tij projektuesve, piktorit Karl Diebitsch dhe dizajnerit grafik Walter Heck; ky i fundit ishte edhe autori i logos së dyfishtë “S” me shkronja gotike, që binte në sy në uniforma.
Dhe ishte sërish udhëheqësi nazist ai që zgjodhi se kush do t’i prodhonte ato, duke ia besuar këtë detyrë një sipërmarrësi gjerman që, në qytetin Metzingen, pranë Shtutgartit, drejtonte një kompani e cila, pas luftës, do të shndërrohej në një nga markat më të njohura ndërkombëtare të veshjeve të gatshme: Hugo Ferdinand Boss.
Projektuesi i terrorit
Me sa duket, Boss u tregua i mbushur me një entuziazëm të veçantë, aq sa fillimisht punoi fshehurazi, duke sfiduar ligjet e Republikës së Vajmarit, të cilat ua ndalonin grupeve politike mbajtjen e uniformave. Ky zell i solli sipërmarrësit, në fund të konfliktit, akuza për bashkëpunim dhe për kontribut aktiv në makinën e luftës naziste.
I privuar nga e drejta e votës dhe i dënuar në shkallën e parë me një gjobë prej 100 mijë markash – e cila më vonë u revokua në shkallën e dytë – Boss u mbrojt duke pretenduar se kishte punuar për regjimin vetëm nga nevoja, pasi kompania e tij ndodhej në vështirësi të mëdha financiare.
Zgjedhja
Sipërmarrësi, një ish-kaporal i ushtrisë gjatë Luftës së Parë Botërore, e kishte themeluar kompaninë e tij, të specializuar në prodhimin e veshjeve sportive dhe mushamave, në vitin 1923. Por në vitin 1930 u përball me një krizë të thellë që e çoi në prag të falimentimit, me kapital zero dhe vetëm gjashtë makina qepëse.
Porosia nga Partia e re Nacional-Socialiste e ndihmoi ndjeshëm të rimëkëmbej, aq sa kompania lulëzoi dhe u shndërrua në një nga më aktivet në industrinë tekstile gjermane të viteve ’30. Megjithatë, teza e leverdisë thjesht ekonomike u lëkund shpejt, ndërsa dalëngadalë dolën në pah dëshmitë e atyre që kishin mbijetuar vitet e tmerrshme dhe kishin punuar në fabrikën e tij.
Siklet
Thashetheme dhe dyshime që i shtynë pronarët e rinj – të përfaqësuar nga i biri, Siegfried, dhe dhëndri Eugen Holy, i cili mori drejtimin pas vdekjes së themeluesit në vitin 1948 – të hetonin, pas vitesh hezitimi, duke porositur një studim mbi të kaluarën e kompanisë.
Përfundimet fillestare nuk u botuan, por më vonë u krye një hetim i ri, këtë herë nga Roman Koester, profesor i historisë ushtarake në Universitetin e Forcave të Armatosura Gjermane në Mynih, i cili i botoi rezultatet në librin e tij Hugo Boss, 1924–1945. Historia e një fabrike veshjesh midis Republikës së Vajmarit dhe Rajhut të Tretë, botuar në Gjermani në vitin 2011.
Koleksioni i vitit 1934
Koester, duke theksuar se kompania dukej sinqerisht e interesuar për të hedhur dritë mbi këtë periudhë, analizoi me kujdes librat e kontabilitetit dhe historinë e saj. Ai konfirmoi atë që dëshmitë dhe gjyqi kishin treguar: Hugo Ferdinand Boss jo vetëm që u pasurua falë nazizmit, duke prodhuar uniforma për SS-në, Rininë Hitleriane, ushtrinë gjermane dhe, mbi të gjitha, SA-në, por ishte edhe një nazist i bindur, pasi ishte anëtar i partisë që nga viti 1931, dy vjet para se Hitleri të bëhej kancelar.
Sigurisht, kompania e tij nuk ishte e vetmja që prodhonte uniforma, por ishte ndër më të përfshirat, aq sa në vitin 1934 lançoi një koleksion të posaçëm kushtuar uniformave ushtarake. Kështu, themeluesi fitoi nofkën “dizajneri i Hitlerit”, edhe pse uniformat ishin projektuar nga të tjerë.
Keqtrajtim dhe shfrytëzim
Si kompani e përfshirë në përpjekjet e luftës, ajo përfitonte lëndë të para të vështira për t’u gjetur dhe, mbi të gjitha, e privuar nga punëtorët e saj shvabianë të dërguar në front, rekrutonte të dëbuar dhe robër lufte. Numri i punëtorëve të detyruar arriti në rreth 180 (nga një total prej 300 punonjësish), kryesisht gra dhe evropiano-lindorë, të detyruar të punonin në kushte çnjerëzore.
Punëtorët e burgosur ishin në mëshirën e rojeve të pamëshirshme, të cilët nuk i kushtonin vëmendje shëndetit të tyre, dhe jetonin në një kamp përqendrimi ngjitur me fabrikën e Metzingen-it. Punëtorja polake Maria Klima, e detyruar të punonte në punishten e qepjes në moshën 14-vjeçare, tregoi se turnet ishin 12-orëshe dhe se keqtrajtimet nga rojet ishin të shpeshta dhe të rënda, edhe ndaj atyre që ishin të sëmurë.
Ata që mbetën
Pas rënies së Hitlerit dhe pushtimit francez të zonës përreth Metzingen-it, Hugo Ferdinand Boss vazhdoi të punonte nën administrimin francez, duke prodhuar veshje për forcat ajrore franceze, ushtrinë dhe Kryqin e Kuq. Megjithatë, kjo nuk e shpëtoi nga gjyqi dhe akuzat për kontribut në tmerret naziste.
Një kontribut që vetë kompania e pranoi pas botimit të librit investigativ të Koester-it, aq sa ndjeu nevojën të publikonte një mesazh keqardhjeje në faqen e saj zyrtare të internetit, ku shkruhej: “U kërkojmë ndjesë njerëzve që vuajtën për shkak të operacioneve të prodhimit të Hugo Ferdinand Boss gjatë epokës naziste.”
Burimi: focus.it/ nga Biagio Picardi/ Përgatiti për botim: L.Veizi
