Nikaragua, 20 qershor 1979
Nga Leonard Veizi
Vrasja e një gazetari amerikan në ditët më të errëta të revolucionit nikaraguan të vitit 1979 tronditi opinionin publik ndërkombëtar dhe shkaktoi reagime të forta politike. Aq më tepër kur nuk bëhej fjalë vetëm për dëshmitarë okularë, por për një kamerë televizive që kishte regjistruar hap pas hapi ekzekutimin e tij nga ushtarët e Gardës Kombëtare të regjimit Somoza.
Pamjet e asaj dite do të bënin xhiron e botës dhe do të ktheheshin në një nga dokumentet më të fuqishme filmike të gazetarisë së luftës. Viktima ishte korrespondenti amerikan Bill Stjuart, një reporter me përvojë i rrjetit televiziv ABC News, i cili kishte mbërritur në Nikaragua për të raportuar mbi luftën civile që po i afrohej fundit.
Bill Stjuart
Uilliam D. “Bill” Stjuart lindi në Virxhinian Perëndimore dhe u diplomua në vitin 1963 në Universitetin Shtetëror të Ohajos. Gjatë studimeve ishte aktiv në jetën universitare dhe më pas ndërtoi një karrierë të suksesshme në gazetarinë televizive.
Ai iu bashkua ABC News pas punës në televizionin WCCO-TV të Mineapolisit dhe shpejt u bë një nga korrespondentët më të vlerësuar të rrjetit. Përpara se të mbërrinte në Nikaragua, kishte raportuar edhe për Revolucionin Iranian të vitit 1979.
Kur mbërriti në Managua, ai kishte afro dhjetë ditë që ndiqte përplasjen mes forcave të presidentit Anastasio Somoza Debajle dhe rebelëve sandinistë, të cilët po fitonin terren çdo ditë.
Ekzekutimi
Më 20 qershor 1979, Stjuarti po lëvizte me një furgon të shënuar qartë si automjet shtypi në lagjet lindore të Managuas. Bashkë me të ndodheshin përkthyesi Huan Fransisko Espinoza, kameramani Xhek Klark dhe pjesëtarë të tjerë të ekipit.
Në një postbllok të Gardës Kombëtare, automjeti u ndalua. Një ditë më parë, gazeta proqeveritare Novedades kishte botuar një editorial ku gazetarët e huaj përshkruheshin si pjesë e “propagandës komuniste”. Atmosfera ishte e tensionuar dhe ushtarët shihnin me dyshim çdo të huaj.
Stjuarti dhe përkthyesi i tij zbritën nga automjeti dhe iu afruan barrikadës. Gazetari paraqiti dokumentet e akreditimit të lëshuara nga vetë qeveria e Nikaraguas. Megjithatë, kjo nuk i shpëtoi.
Nga brenda furgonit, kameramani Xhek Klark filloi të filmonte. Ushtarët urdhëruan Stjuartin të gjunjëzohej. Më pas e detyruan të shtrihej me fytyrë përtokë. Një ushtar iu afrua, e goditi me këmbë dhe pak çaste më vonë e qëlloi pas veshit të djathtë.
Gjithçka u regjistrua nga kamera.
Përkthyesi Huan Fransisko Espinoza u ekzekutua po atë ditë jashtë fushës së kamerës. Dëshmitarët rrëfyen më vonë se ushtarët përpiqeshin t’i paraqisnin vrasjet si rezultat i zjarrit të rebelëve sandinistë.
Bill Stjuarti ishte vetëm 37 vjeç.
Pamjet që tronditën botën
Ekipi i ABC-së arriti të nxirrte fshehurazi materialin filmik nga Nikaragua dhe ta dërgonte në Nju Jork.
Kur pamjet u transmetuan nga ABC, NBC dhe CBS, miliona njerëz panë me sytë e tyre ekzekutimin e një gazetari të paarmatosur. Ishte një çast i rrallë në historinë e televizionit: brutaliteti i luftës nuk raportohej më vetëm me fjalë, por shfaqej drejtpërdrejt në ekran.
Indinjata në Shtetet e Bashkuara ishte e menjëhershme. Presidenti Xhimi Karter e quajti ngjarjen “një akt barbarizmi që të gjithë njerëzit e qytetëruar e dënojnë”.
Për shumë historianë, transmetimi i këtyre pamjeve ndikoi ndjeshëm në humbjen e mbështetjes ndërkombëtare për regjimin e Somozës. Vetëm një muaj më vonë, diktatura u rrëzua dhe sandinistët morën pushtetin.
Nga realiteti në film
Ngjarja e Bill Stjuartit nuk mbeti vetëm në kronikat televizive.
Pamjet autentike u përdorën në dokumentarin “Ditët e Tërbimit” (Days of Fury, 1979), me regji të Fred Uarshofskit dhe narracion të aktorit të njohur Vinsent Prajs. Më pas ato u shfaqën edhe në dokumentarin Nga Hiri: Nikaragua Sot (From the Ashes: Nicaragua Today, 1983).
Por jehona më e madhe artistike erdhi me filmin “Nën Zjarr” (Under Fire, 1983), një nga filmat më të rëndësishëm politikë të viteve ’80. Televizioni shqiptar e trasmetoi këtë film nën titullin: “Nikaragua ’79”
Filmi, me interpretimin e Nik Noltit, Xhin Hekmanit dhe Xhoana Kasidit, nuk është një biografi e Bill Stjuartit, por frymëzohet dukshëm nga atmosfera e revolucionit nikaraguan dhe nga vrasja e gazetarit amerikan.
Në qendër të filmit qëndron Rasëll Prajs, personazhi i luajtur nga Nik Nolti, një fotograf lufte që ndodhet mes kaosit të revolucionit. Ndryshe nga gazetarët klasikë që raportojnë nga larg, ai futet në zemër të ngjarjeve dhe përballet me dilema morale mbi rolin e medias në kohë lufte.
Nolti e interpreton personazhin me një përzierje cinizmi, kurioziteti profesional dhe ndjenje përgjegjësie. Fillimisht ai duket si një fotograf që kërkon vetëm imazhin e radhës spektakolar, por gradualisht shndërrohet në një dëshmitar të historisë, i detyruar të zgjedhë mes neutralitetit profesional dhe së vërtetës.
Personazhi i Xhin Hekmanit, gazetari veteran Aleks Grejzier, përmban shumë elemente të jetës dhe karrierës së Bill Stjuartit. Në një nga skenat më të forta të filmit, ai vritet nga forcat e regjimit, duke kujtuar qartë fatin tragjik të korrespondentit amerikan.
Megjithatë, filmi nuk synon të rikrijojë me përpikëri ngjarjen reale. Regjisori Rodzher Spotisvud e përdor atë si simbol të rrezikut me të cilin përballen gazetarët në zonat e konfliktit dhe të ndikimit që një fotografi apo një regjistrim mund të ketë mbi opinionin publik.
Sot, “Nën Zjarr” konsiderohet një nga filmat më të mira të realizuara ndonjëherë për gazetarinë e luftës. Për shumë shikues, ai mbetet mënyra më e njohur për të kuptuar atmosferën e Nikaraguas së vitit 1979 dhe çmimin që paguajnë gazetarët në kërkim të së vërtetës.
Kujtimi
Pas rrëzimit të Somozës, qeveria e re sandiniste krijoi në Managua një park për nder të Bill Stjuartit, në vendin ku ai ishte vrarë. Një pllakë përkujtimore mbante mbishkrimin:
“Në kujtim të Bill Stjuartit. Ai nuk vdiq në një tokë të huaj dhe ne do ta ruajmë kujtimin e tij sepse ai është pjesë e Nikaraguas së Lirë.”
Me kalimin e viteve, parku u la pas dore, por kujtimi i gazetarit mbeti i gjallë.
Vrasja e Bill Stjuartit vazhdon të konsiderohet një nga episodet më domethënëse në historinë e gazetarisë së luftës. Ajo dëshmoi se ndonjëherë një kamerë mund të bëhet dëshmitari më i fuqishëm i një krimi dhe se një regjistrim i vetëm mund të ndikojë në rrjedhën e historisë më shumë se shumë deklarata politike.
