Last Updated on 15/11/2025 by EL
Helena Kadare prezantoi librin e saj të ri, “Një Grua e Lirë”, një vëllim që kombinon kujtime, ndjenja dhe reflektime personale.
Teksa flet për librin, Kadare thotë se nuk ka qenë një grua e lirë, ndonëse personazhi i veprës është një vajzë polake.
“Nuk kam qenë fëmija i lirë, më ka penguar sistemi, por edhe koha. Megjithatë, gjithmonë kam qenë e përkushtuar të ndihmoja Kadarenë; të gjithë librat e tij kanë kaluar në duart e mia”. thotë Helena Kadare.
Ajo tregon se ka botuar dy vëllime para demokracisë, por kur i ka rilexuar, 70% e tyre nuk i kanë pëlqyer.
“Kisha botuar dy vëllime në kohën para demokracisë, kur i lexova 70% të tyre nuk më pëlqyen. Pjesën tjetër e kam shtuar këtë vitin e fundit. Jam tema të ndryshme që kanë ndodhur kur kam udhëtuar vitin e fundit, cfarë kam parë, janë kaq shumë tema që kam dashur ti shkruaj sa nuk arrita ti bëj dot sepse nuk kisha një gjendje shpirtërore shumë të mirë. Një grua e lirë është ajo që bën çfarë ka dëshirë dhe nuk është e imponuar nga dikush tjetër. Për mua kjo ka qenë një sfidë, sidomos kur shikoja se Ismaili nuk e pëlqente diçka, e zhdukja atë menjëherë nga teksti,” rrëfen Helena Kadare, duke hedhur dritë mbi procesin e saj krijues.
Protagonistja e tregimit “Gruaja e lirë” është një vajzë polake që autorja e ka takuar në Francë dhe është njohur me historinë e jetës së saj, një histori që padyshim e ka ngacmuar shkrimtaren.
Një detaj që të ngacmon është që ajo e zhvesh veten përpara lexuesit si Helena dhe jo si bashkëshortja e Ismail Kadares, e për këtë bie në mendime.
“Ismaili nuk ka qenë kur kam bërë tregimet e fundit dhe kjo ka qenë një lloj lirie, sepse gjithmonë kisha frikën se çfarë do të mendojë ai, kur e shikoja që lëvizte fytyrën me pakënaqësi, e zhdukja në moment tekstin”, thotë ajo./e.t
