Last Updated on 12/04/2026 by Anisa
Nga Fernada Cenko
Në rrugët e Brukselit, aty ku jeta rrjedh me ritëm të shpejtë dhe çdo ditë është një përballje më vete, lindin histori që nuk i përkasin vetëm një njeriu, por një epoke të tërë emigrimi, sakrifice dhe ëndrre. Në pamje të parë, është thjesht një fast food, një vend pune i zakonshëm, ku duart lodhen dhe dita matet me orë të gjata shërbimi. Por pas këtij realiteti të ashpër fshihet një botë tjetër, një botë që nuk duket, por që rritet në heshtje, në mendje dhe në shpirt.
Mes aromës së patateve të skuqura, zhurmës së klientëve dhe ritmit të pandalur të punës, një djalë i ri mësonte jo vetëm të mbijetonte, por edhe të vëzhgonte jetën. Çdo fytyrë që kalonte përpara tij ishte një histori, çdo natë një përvojë, çdo ditë një sfidë. Dhe ndërsa realiteti e mbante të lidhur pas një banaku, brenda tij lindte një nevojë tjetër, nevoja për të treguar, për të shkruar, për të kuptuar botën përtej asaj që bënte çdo dite.
Kjo është historia e Zenel Laci, një rrugëtim që nis nga rrënjët e dhimbshme të një familjeje të arratisur nga Shqipëria dhe kalon përmes viteve të gjata të punës së rëndë, për të mbërritur në skenë, aty ku jeta e tij kthehet në art. Historia e tij dëshmon se ëndrrat nuk lindin gjithmonë në kushte të lehta përkundrazi, të duhen sfida të mëdha.
– Përshëndetje Zenel, faleminderit që u bëtë pjesë e këtij cikli intervistash. Për të gjithë ata që nuk ju njohin ende, kush është Zenel Laci? Nga është origjina juaj dhe si nis historia e familjes suaj?
Unë kam lindur në Belgjikë në vitin 1966. Me origjinë jam shqiptar. Prindërit e mi kanë ikur nga Shqipëria, përkatësisht nga regjimi komunist, në vitin 1952. Gjatë arratisjes, në mes të dimrit përmes maleve, babai im ka parë nënën e tij dhe dy fëmijë të vdekur nga të ftohtit. Ata u detyruan t’i bartnin trupat e tyre mbi shpinë deri në Kosovë për t’i varrosur.
Në Kosovë qëndruan disa vite, dy motrat e mëdha kanë lindur atje. Familja, me synimin për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, kaloi nëpër kampe refugjatësh në ish-Jugosllavi dhe më pas në Itali, ku qëndroi tetë vjet. Vëllai im i madh është lindur në një kamp italian.
Pasi viza për në Shtetet e Bashkuara iu refuzua, ata mbërritën përfundimisht në Belgjikë në vitin 1963.
– Sa ka ndikuar kjo histori në mënyrën si e shihni jetën dhe artin?
Mungesa për vendin amë u ka shkaktuar prindërve vuajtje të mëdha, të cilën pa dashur na kanë transmetuar edhe ne fëmijëve. Këtë vuajtje e kam parë në sytë e tyre gjatë gjithë jetës.
Prindërit e mi nuk jetojnë më dhe tani është detyra jonë të ruajmë këtë kujtesë për Shqipërinë. Kjo ka ndikuar dhe më ka prekur thellësisht.
Në punën time artistike flas shumë për mungesën dhe për intimen. Mungesa lidhet pa dyshim me Shqipërinë e mbyllur, nga e cila u privuan prindërit për shkak të arratisjes.
– Si ka qenë fëmijëria juaj në Belgjikë?
Si shumë refugjatë politikë, prindërit e mi erdhën në Belgjikë me tre fëmijë të vegjël. Ata u pritën mirë, por jetuan në një pasiguri të madhe ekonomike.
Unë u rrita në një fshat të vogël përpara se të vija e të jetoja në Bruksel.
Që herët ndjeva ekzistencën e dy botëve: shtëpia ku jetohej si në Shqipëri dhe jashtë saj, Belgjika. Duhej të mësoje të lëvizje mes këtyre dy botëve.
– A jeni ndjerë ndonjëherë mes dy vendeve, as plotësisht shqiptar dhe as plotësisht belg?
Mendoj se çdo njeri që rritet mes dy kulturave, asaj të origjinës dhe asaj të vendit pritës, ndihet gjithmonë mes dy botëve. Kjo është njerëzore.
I dua të dy kulturat. Por megjithatë, shpesh ekziston një lidhje më e thellë me vendin e origjinës.
– Sot, në identitetin tuaj, ndiheni më shumë shqiptar apo belg?
Jam belg me origjinë shqiptare, qytetar i botës, por me një dashuri të veçantë për Shqipërinë.
– Kur dëgjoni shqiptarë duke folur në rrugë, ju ndodh të ktheni kokën instiktivisht?
Në vitet 70 – 80 gjithmonë habitesha kur takoja shqiptarë në rrugë ose dëgjoja të flitej shqip, sepse ishim shumë pak.
Me kalimin e kohës, lufta në Kosovë, emigracioni shqiptar që pasoi dhe hapja e Shqipërisë, i ndryshuan thellësisht gjërat.
Sot nuk kthej kokën prapa kur dëgjoj shqip në rrugë.
– Çfarë ndjenje ju jep gjuha shqipe larg vendit?
Për mua, gjuha shqipe është thelbësore. Është gjuha e nënës sime, e prindërve të mi dhe bart gjithë kujtesën e tyre. Është gjuha shqipe që na lidhte me vendin amë.
– Sa i lidhur jeni sot me Shqipërinë, është një lidhje emocionale apo konkrete?
Është njëkohësisht një lidhje emocionale dhe konkrete. Emocionale, sepse jam rritur në një familje me idenë se Shqipëria është vendi më i bukur në botë.
Dhe pastaj është konkrete, kam një apartament në Vlorë dhe shkoj atje çdo vit me gruan dhe dy vajzat e mia.
– Le të ndalemi te “Fritland”, një vend që duket se ka qenë shumë më tepër sesa një punë për ju. Si do ta përshkruanit atë periudhë?
Për mua, “Fritland”, biznesi familjar, ka qenë edhe muzë edhe burg. Aty kam punuar nga mosha 14 deri në 30 vjeç. Në atë kohë ishte çështje mbijetese, duhej të punoje për të ndërtuar një të ardhme në Belgjikë. Por kisha një objektiv të qartë në kokë, të bëja studimet.
– Çfarë ju mësoi puna atje për jetën?
Që në jetë asgjë nuk të jepet: duhet të punosh shumë për të pasur sukses.
– A ka pasur një moment kur vendosët se duhet të largoheshit dhe të ndiqnit një rrugë tjetër?
Po. Isha betuar se në moshën 30-vjeçare do të largohesha nga biznesi familjar për të rifilluar studimet. Dhe këtë e bëra.
U regjistrova në skenografi, gjë që më lejoi më pas të hyja në universitet, ku studiova dramaturgji dhe regji. Kështu u rilidha me pasionin tim për letërsinë dhe shkrimin. Doja të bëhesha shkrimtar.
– Sa e vështirë ishte të lini një siguri financiare për të ndjekur ëndrrën tuaj artistike?
Duhej të filloja gjithçka nga e para. U largova nga familja pa asgjë.
Ishte brutale. M’u deshën disa vite për t’u rindërtuar, për të kuptuar kush isha dhe për të gjetur vendin tim në një Belgjikë që nuk e njihja mirë.
Për këtë m’u desh të rishpikja veten.
– Çfarë ju shtyu të merrnit këtë vendim?
Doja të jetoja jetën time. Jo atë të të tjerëve.
– A ka pasur momente kur jeni penduar apo keni dashur të hiqni dorë?
Po, disa herë. Por për mua nuk kishte kthim prapa. I kisha vënë vetes një qëllim dhe isha gati të bëja gjithçka për ta arritur. I pranova të gjitha sakrificat. Doja të ecja përpara, me çdo kusht, dhe të besoja te vetja.
– Si nisi rrugëtimi juaj në teatër?
Kur u largova nga lokali, isha 30 vjeç. Kisha vetëm vitin e dytë të shkollës së mesme, pra asnjë mundësi për të hyrë në studime të larta.
Gjeta një kurs në skenografi, në kuadër të promovimit social. Nuk kërkohej diplomë apo provim. Nëse e përfundoja me sukses, mund të hyja në universitet. Ishte shansi i jetës sime.
Nuk dija as të vizatoja dhe as çfarë ishte skenografia, por u regjistrova. Punova shumë fort dhe dola i pari.
Profesori i filozofisë së teatrit, njëkohësisht regjisor, më vuri re. Fillova të punoj si asistent regjie pranë tij. Kështu m’u hapën dyert e teatrit.
– Sa sfiduese ka qenë të depërtoni në skenën belge si një artist me origjinë shqiptare?
Nuk ishte e lehtë. Vij nga një familje që bota e artit nuk është e tyre, kështu që nuk më kuptonin. Duhej të provoja veten, të punoja dy herë më shumë dhe të gjeja vendin tim në një mjedis ku nuk më prisnin.
M’u desh të ndërtohesha vetë, të krijoja projektet e mia pa mbështetje financiare.
Por nuk e kam përkufizuar kurrë veten vetëm nga origjina ime. Kam ecur përpara falë punës, këmbënguljes dhe dëshirës për të bërë teatër. Çështja e origjinës u zbut më vonë, kur fillova të njihem.
– A jeni përballur me paragjykime gjatë rrugës suaj?
Po, sigurisht. Ka pasur momente të caktuara, veçanërisht gjatë studimeve në skenografi dhe në universitet, gjatë disa përzgjedhjeve, ku kam ndjerë qartë se origjina ime luante kundër meje.
Por nuk kam dashur kurrë të ndalem aty. Gjithmonë jam përgjigjur me punë dhe këmbëngulje.
– Shfaqja “Fritland” duket shumë personale, sa nga jeta juaj reale është aty brenda?
“Fritland” është e frymëzuar drejtpërdrejt nga jeta ime. Është historia e një shitësi patatesh të skuqura me origjinë shqiptare, i mbyllur në një fat që nuk është i veti dhe që vendos të largohet nga gjithçka për të ndjekur ëndrrën e tij.
Përmes tij flas për veten time dhe për familjen time. Gjithçka nis nga një histori autobiografike.
Doja t’i bëja homazh babait tim, mërgimit të tij dhe fatit të njerëzve të thjeshtë si unë: të tregoj se përmes punës dhe besimit në vetvete, njeriu kudo që të jetë mund të ecë përpara, të gjejë rrugën e tij dhe të arrijë ëndrrat e tij.
– Sa vite keni punuar aty dhe si ka qenë një ditë tipike në atë periudhë?
Unë kam punuar për 16 vitePunën e filloja në orën 6 të mëngjesit: zbrisja në bodrum për të qëruar qindra kilogramë patate, ngjitesha për të pastruar lokalin, përgatisja ushqimin dhe vija gjithçka në vend. Pastaj shërbeja klientët 10 deri në 12 orë në ditë. Kishte raste kur punoje pa ndërprerje, ditën dhe natën.
Natën ishte një botë tjetër: droga, prostitucioni, dhuna urbane. Qendra e Brukselit ku ishte lokali në vitet ’80 ishte shumë e ashpër. Shpeshherë më është dashur të rrihem.
Ishte një jetë e dhunshme.
– A e keni dashur ndonjëherë atë punë, apo ishte thjesht një detyrim?
Kurrë nuk e kam dashur këtë punë. Për të mbijetuar në këtë lokal lexoja dhe shkruaja poezi mbi letrat që përdoreshin për të mbështjellë konet e patateve të skuqura. Ua jepja klientëve me shpresën se një ditë dikush do t’i lexonte.
Kjo ishte ajo që më mbante gjallë në këtë lokal.
– Çfarë keni mësuar nga puna në “Fritland” që ju ka ndihmuar më vonë në jetë dhe në art?
Duke punuar gjatë gjithë këtyre viteve kam parë të kalojnë lloj-lloj njerëzish në lokal. Banaku ishte direkt në rrugë. Kam hasur fate dhe sjellje të ndryshme, kam folur si me njerëz të thjeshtë ashtu edhe me njerëz të jashtëzakonshëm.
Një prostitutë që e konsideronte veten si Nënë Tereza më ka lënë shumë mbresë. Rrëfimi i jetës së saj ishte impresionues dhe më shtyu të shkruaja pjesën time të parë teatrore, “Valencia, princesha e botës”, përkthyer dhe vënë në skenë në Portugali.
Kjo përvojë më ka mprehur vështrimin. Kam mësuar të shoh, të dëgjoj me vëmendje dhe të kuptoj se si ndryshon shoqëria sipas orëve, nga mëngjesi deri natën. Brenda një dite të vetme kisha përpara gjithë spektrin e shoqërisë. Kjo më ka shërbyer dhe vazhdon të më shërbejë edhe sot në jetë dhe në art.
– A kishte ndonjë moment apo ngjarje në “Fritland” që ju ka mbetur thellë në mendje?
Po. Ndeshja e futbollit Juventus–Liverpool në vitin 1985 në Bruksel. Atë kohë nuk njihej ende fenomeni i huliganëve. Qyteti dhe policia nuk ishin të përgatitur. Një ditë më parë kishte pasur përleshje me tifozët anglezë. Ditën e ndeshjes mijëra huliganë pushtuan qendrën. Ishte ferr. Thyenin vetura, dyer dyqanesh, pinin, bërtisnin… Unë isha vetëm në lokal.
Qindra prej tyre hynë brenda duke bërtitur, sharë dhe përpiqeshin të vidhnin gjithçka që ndodhej në banak. M’u desh të mbrohesha dhe të luftoja me një thikë. Isha 18 vjeç. Rashë në një gjendje të çmendur. Kjo ka qenë traumë.
Atë natë, për shkak të tifozëve anglezë humbën jetën 39 italianë. Pas kësaj tragjedie policia vendosi të mbyllte të gjitha bizneset në qendër të Brukselit. Çka kam përjetuar atë ditë më ka lënë gjurmë për gjithë jetën.
– Si kanë ndikuar klientët dhe atmosfera e atij vendi në punën që bëni sot?
Në lokal, një i pastrehë më kishte parë duke lexuar. Një ditë u kthye me dy libra: njëri i Dostojevskit dhe tjetri i Jean-Paul Sartre. Quhej Jozef, profesor i frëngjishtes, një pensionist që jetonte në rrugë.
U afruam shumë. Ai më hapi botën për letërsinë. Ai lexonte tekstet e mia të para, më vlerësonte, më këshillonte. Mësova shumë prej tij. Ai u bë mentori im.
– Pse ndjetë nevojën ta ktheni “Fritland” në një shfaqje teatri?
Xhaxhai im shpeshherë më thoshte: “Ti që di me shkru, pse nuk e shkruan historinë e familjes sonë?” Dhe unë gjithmonë përgjigjesha: jo, se nuk më takon mua, se unë jam më i vogli.
Pas disa vitesh mendova se kishte diçka të vërtetë në këtë pyetje. Vendosa atëherë të mos rrëfej drejtpërdrejt për familjen, por për historinë e lokalit. E futa veten si personazh duke u ballafaquar me klientët. Ky ishte skenari. E kisha shkruar tekstin për një aktor belg. Gjatë provave ai ftoi Olivier Blin, drejtorin e teatrit të njohur të Brukselit “De Poche”. Drejtori më tha: “Kush është ai patatexhi në këtë skenar?”
Ju përgjigja: jam unë.
“Ti e ke një perlë në dorë, por nuk e di. Perla je ti.”
Ai shtoi se nëse rishkruan skenarin dhe rrëfen historinë e jetës sate, shfaqjen tënde dua ta vë në skenë në teatrin tim. Por me një kusht: që ti ta luash rolin tënd në skenë.
Më la dy javë për të menduar.
Fola me miqtë, me familjen. Të gjithë më thanë ta bëja. Dhe unë u bëra aktor.
– Si reagojnë njerëzit kur kuptojnë që historia është reale?
Në çdo shfaqje ndodh diçka shumë e fortë. Publiku kupton në fund se është jeta ime që rrëfej. Dhe atëherë shikimi ndryshon. Ka një emocion, një butësi, një mirësi që vendosen dhe që mbeten.
Në fund, pas çdo shfaqjeje i pres spektatorët dhe u ofroj patate të skuqura, duke u lidhur drejtpërdrejt me ta dhe vazhdoj të rrëfej jetën time. Njerëzit qëndrojnë, hanë, flasin me mua, buzëqeshin.
Dhe historia vazhdon.
– Si reagon publiku belg ndaj kësaj historie?
Mendoj se ajo që prek realisht publikun belg, përtej historisë shqiptare, është rrugëtimi i këtij shitësi të vogël patatesh që arrin të realizojë ëndrrën e tij. Kjo është ajo që i prek thellësisht.
– A mendoni se përmes artit tuaj po ndryshoni perceptimin për shqiptarët jashtë vendit?
Nuk kam pretendimin të ndryshoj i vetëm mënyrën se si belgët i shohin shqiptarët. Por përmes historisë sime dhe asaj të familjes sime, që ka arritur vetëm përmes punës, përçoj një imazh tjetër nga klishetë dhe paragjykimet që shpesh qarkullojnë. Belgjika nuk të kufizon në asnjë mënyrë nëse do të bësh gjëra pozitive në jetë. Këtu secili mund të mendojë dhe të shprehet lirshëm.
Nëse një ditë Belgjika luan kundër Shqipërisë, për kë do të bëni tifo?
« Rroftë Shqipëria! »
Kjo zgjedhje është më shumë emocionale apo racionale për ju?
As njëra, as tjetra. Besoj se kjo është e shkruar diku në ADN-në shqiptare. Mund të ndryshosh vend, gjuhë, jetë, por mbetesh shqiptar.
Çfarë jeni duke bërë këtë kohë?
Aktualisht jam duke shkruar një pjesë të re, vazhdoj të merrem me skenografi, luaj në disa shfaqje, befasisht u bëra edhe aktor. Kam shumë projekte në mendje.
Teatri, për mua, është për gjithë jetën.
– A ka ende ëndrra që nuk i keni realizuar?
Dëshira për të shkruar një roman.
Dhe për të realizuar “Fritland” për kinema.
– A do të donit të sillnit një projekt tuajin edhe në Shqipëri?
Për mua të luaja “Fritland” në Shqipëri do të ishte, në një farë mënyre, të mbyllja rrethin.








