Këngëtarja Bebe Rexha ka rikthyer në vëmendje suksesin e hitit të saj “Meant to Be”, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi me Florida Georgia Line duhej të kishte fituar një çmim Grammy në vitin 2019.
Përmes një postimi në platformën X, artistja shkroi se kënga e meritonte çmimin prestigjioz, duke pyetur gjithashtu ndjekësit se cila këngë ishte shpërblyer atë vit në kategorinë country.
Pasi një fans i kujtoi se çmimi për performancën më të mirë country nga një dyshe ose grup i ishte dhënë Dan + Shay për këngën “Tequila”, Rexha e ripostoi përgjigjen, duke komentuar: “Këngë e mirë”.
E publikuar në tetor të vitit 2017, “Meant to Be” u shndërrua në një nga hitet më të mëdha të karrierës së këngëtares. Kënga arriti vendin e dytë në klasifikimin amerikan Billboard Hot 100, ndërsa qëndroi për 50 javë radhazi në krye të Billboard Hot Country Songs.
Suksesi i saj u konfirmua edhe në vitin 2020, kur mori certifikimin Diamond nga Shoqata Amerikane e Industrisë së Incizimeve (RIAA), duke arritur pragun prej 10 milionë njësish të shitura dhe ekuivalente në SHBA./mxh
