Aktorja e njohur turke Tuba Büyüküstün ka folur hapur për periudhën e vështirë që kaloi pas divorcit nga aktori dhe regjisori Onur Saylak, duke zbuluar se vendosi të shkëputej për disa vite nga aktrimi për t’iu përkushtuar vajzave të saj binjake.
E ftuar në një program në YouTube të moderuar nga Emel Özuğur, aktorja tregoi se ndarja nga bashkëshorti, me të cilin ishte e martuar prej vitit 2011, ishte një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Çifti, që ka dy vajza, Maya dhe Toprak, i dha fund martesës në vitin 2017, pas gjashtë vitesh së bashku.
Büyüküstün tregoi se pas ndarjes nuk punoi për 3-4 vite, pasi dëshironte të ishte pranë fëmijëve në një periudhë delikate.
“Duhej të isha pranë vajzave të mia. Në atë periudhë nuk punova për 3-4 vite. Të gjithë më pyesnin: ‘Si ka mundësi, nuk ke punuar për katër vite?’. Nuk punova, sepse ajo ishte periudha më e vështirë e jetës sime. T’i japësh fund një martese dhe të marrësh një vendim të tillë nuk është aspak e lehtë, sidomos kur ke fëmijë. Ta përjetosh këtë përpara miliona njerëzve dhe të përballesh me opinione nga më të ndryshmet është shumë rraskapitëse. Në një moment duhet t’i mbyllësh të gjitha këto, sepse kisha gjëra të tjera për të mbrojtur”, u shpreh aktorja.
Ajo foli edhe për përgjegjësitë si nënë, duke zbuluar se pas divorcit nuk ka pasur ndihmëse në shtëpi dhe është kujdesur vetë për vajzat.
“Që prej divorcit nuk kam pasur ndihmëse. Kujdesem vetë për fëmijët e mi dhe të gjitha angazhimet e punës i organizoj sipas orarit të tyre. Nëse nuk do t’u kushtoja kohë personalisht fëmijëve, atëherë pse i linda? Të qenit pranë tyre është përparësia ime në këtë moment të jetës”, tregoi ajo.
Tuba Büyüküstün sqaroi gjithashtu se nuk e ka parë asnjëherë si një zgjedhje mes mëmësisë dhe karrierës, por si një vendim për të vendosur jetën dhe familjen në plan të parë.
Aktorja, e cila prej vitit 2017 nuk është shfaqur në projekte televizive, tha se në atë periudhë zgjodhi t’i kushtohej jetës personale dhe vajzave të saj./mxh
