Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter “Flynn” White Jr. në serialin e famshëm Breaking Bad, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare, sipas një raportimi të medias amerikane TMZ.
Sipas medias, një zyrtar ka konfirmuar se aktori ka vdekur të hënën në Teksas. TMZ raporton se vdekja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e vetëvrasjes, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat. Lajmi është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e aktorit, të cilët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e tij.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe mbrojtësit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, thuhet në deklaratën e tyre.
Mitte u bë i njohur në mbarë botën përmes Breaking Bad, ku interpretoi Walter White Jr., djalin e protagonistit Walter White, të luajtur nga Bryan Cranston. Ai u shfaq në 56 episode të serialit, i cili konsiderohet ndër produksionet më të vlerësuara televizive.

Përtej karrierës së tij në aktrim, Mitte ishte një zë i rëndësishëm në ndërgjegjësimin për njerëzit me aftësi të kufizuara. Duke jetuar vetë me paralizë cerebrale, ai përdori përvojën personale për të sfiduar paragjykimet dhe për të mbështetur të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ai shërbeu gjithashtu si ambasador i organizatave United Cerebral Palsy dhe Shriners Children’s.
Gjatë karrierës, aktori u shfaq edhe në produksione të tjera, mes tyre The Oak Room, The Recall dhe The Guardians of Justice (Will Save You!).

Në jetën personale, Mitte ishte i fejuar me Kennedy Suarez, së cilës i kishte propozuar martesë në vitin 2025, pas disa vitesh lidhjeje.
Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një aktori që, përveç rolit të paharrueshëm në Breaking Bad, u angazhua edhe për një kauzë që shkonte përtej ekranit./k.m
