Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka njoftuar nisjen e një “peticioni kombëtar” për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve ndaj politikës së tij për moskontribut në fonde të BE-së për Ukrainën, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e prillit.
Orban e ka paraqitur garën zgjedhore si një zgjedhje midis luftës dhe paqes, duke portretizuar Ukrainën si të padëshirueshme për mbështetje dhe qeverinë e tij si garanci e vetme kundër konflikteve dhe pasojave ekonomike.
Kampanja e Orbanit, që synon kryesisht votuesit ruralë, përforcon mesazhet e tij të mëparshme kundër migracionit dhe ka tentuar të lidhë liderin e opozitës, Peter Magyar, me Brukselin dhe Ukrainën, duke sugjeruar se votimi për partinë e tij është votë për luftë dhe tanke.
Detajet e peticionit mbeten të paqarta, por ai duket se do të funksionojë si një referendum informal, ku qytetarët do të marrin një fletë votimi për të thënë “jo” ndaj kontributeve për Ukrainën.
Orban akuzoi opozitën se është pro-Ukrainë dhe sugjeroi pa prova se Bashkimi Evropian mund të ushtrojë presion për të dërguar të rinjtë hungarezë në luftë. Nga ana e tij, Magyar tha se partia Tisza mbështet paqen, refuzon idenë e rekrutimit dhe nuk do të përkrahë asnjë përshkallëzim të konfliktit.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka propozuar një huamarrje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, ndërsa Hungaria, Sllovakia dhe Çekia ranë dakord që të mos ndikojë financiarisht tek vendet e tyre.
Sondazhet e fundit tregojnë një rritje të kundërshtimit në Hungari ndaj fondeve për Ukrainën: në vitin 2023, 57% ishin pro dhe 41% kundër, ndërsa vitin e kaluar vetëm 36% mbështesnin ndihmën dhe 63% ishin kundër./mxh
