Një moment i papritur gjatë “Miss Universe 2026” ka bërë që vëmendja të zhvendoset te përfaqësuesja e Malit të Zi. Bëhet fjalë për 22-vjeçaren Maria Aleksandra Ivezaj, e cila ka tërhequr vëmendjen pasi ka bërë simbolin e shqiponjës dykrenare gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare.
Ngjarja ndodhi më 21 nëntor, në San Juan të Porto Rikos, ku konkurrentet prezantuan veshjet që përfaqësonin vendet e tyre. Gjatë daljes në skenë, modelja përdori duart për të formuar shqiponjën dykrenare, simbol që lidhet ngushtë me identitetin shqiptar.
Ajo që e bëri momentin edhe më të komentuar është fakti se Ivezaj garon nën flamurin e Malit të Zi, ndërsa gjesti i saj u interpretua nga shumë përdorues si një shenjë lidhjeje me prejardhjen shqiptare.
Përmes profilit të saj në Instagram, 22-vjeçarja publikoi edhe disa fotografi me kostumin kombëtar, ku shfaqet sërish duke formuar simbolin e shqiponjës me duar.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe morën vëmendjen e mediave rajonale, ku veprimi i saj u shoqërua me reagime të shumta dhe u cilësua nga disa prej tyre si skandaloz.
Megjithatë, deri më tani Maria Aleksandra Ivezaj nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për domethënien e gjestit dhe nuk ka asnjë konfirmim se ajo synonte të përcillte një mesazh politik apo të shprehte një qëndrim të caktuar.
Një veprim i vetëm në skenën e një prej konkurseve më të ndjekura të bukurisë është mjaftuar kështu për të hapur një debat të gjerë në rajon./mxh
