Hungaria synon të përmbushë deri në vitin 2030 kriteret e nevojshme për anëtarësimin në Eurozonë. Kryeministri Peter Magyar deklaroi se miratimi i monedhës euro do t’i sillte vendit më shumë përfitime sesa kosto, ndërsa e cilësoi këtë si një objektiv strategjik të qeverisë.
Magyar pranoi se rruga drejt euros nuk do të jetë e lehtë, pasi Hungaria aktualisht nuk plotëson asnjë nga kriteret e Mastrihtit, të cilat lidhen me stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendeve që synojnë të bëhen pjesë e Eurozonës. Sipas tij, megjithatë, studimet tregojnë se ekziston një mbështetje e gjerë në shoqërinë hungareze për anëtarësimin në zonën e euros.
Kryeministri theksoi se përmbushja e këtyre kritereve do të sillte më shumë stabilitet ekonomik dhe do të rriste besimin e investitorëve, bizneseve dhe qytetarëve. Ai shtoi se ky proces do ta bënte Hungarinë më tërheqëse për investime dhe do të nxiste zhvillimin ekonomik, rritjen dhe mirëqenien e vendit.
Deklaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis, ku u diskutua për perspektivën ekonomike të Hungarisë dhe hapat drejt integrimit më të thellë në Bashkimin Evropian.
Objektivi vjen pas ndryshimit të pushtetit në Hungari, ku Peter Magyar fitoi zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit. Gjatë viteve të fundit, ekonomia hungareze është përballur me një deficit të lartë buxhetor dhe vështirësi në përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësimin në Eurozonë./mxh
