Një 38-vjeçar është arrestuar pranë fushës së golfit në pronësi të Presidentit amerikan Donald Trump në Rancho Palos Verdes, Kaliforni, vetëm pak ditë përpara vizitës së presidentit për një darkë për mbledhje fondesh të Partisë Republikane.
Autoritetet thanë se i dyshuari u gjet me armë dhe municione të paligjshme, ndërsa hetimet janë ende në vijim.
Sipas Departamentit të Sherifit të Los Anxhelosit, Jeanine John Taele u vu re duke ecur në fushën e golfit, duke bërë fotografi dhe video, ndërsa dukej se monitoronte përgatitjet e sigurisë. Ai u arrestua të dielën pas raportimit të agjentëve federalë të veshur civilë.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi se Taele kërkohej edhe në lidhje me një rast grabitjeje të hetuar nga Departamenti i Policisë së El Segundo.
Ai mbante një karikator me 16 fishekë me municion të ndaluar, ndërsa në automjetin e tij u gjet një pistoletë e mbushur dhe municione të tjera. Aktualisht ai përballet me akuza për mbajtje të fshehur të armës së zjarrit dhe posedim të municioneve të ndaluara.
Një ditë më pas, agjentët e FBI-së dhe të Task Forcës së Përbashkët Kundër Terrorizmit kontrolluan banesën e tij në Downey, ku sekuestruan një pushkë të modifikuar në mënyrë të paligjshme të tipit AR, një pistoletë kalibri .45, jelekë antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, sasi të konsiderueshme municionesh dhe fletore me përmbajtje që autoritetet e cilësuan shqetësuese.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të SHBA-së, ndërsa zyrtarët nuk përjashtojnë ngritjen e akuzave të tjera. Megjithatë, ata theksuan se deri më tani nuk është identifikuar një kërcënim i besueshëm për komunitetin dhe nuk ka prova që i dyshuari po planifikonte një sulm ndaj Presidentit Trump.
Arrestimi ndodhi në prag të vizitës së Trumpit në Kaliforni, ku ai pritet të marrë pjesë në një aktivitet për mbledhje fondesh dhe më pas të udhëtojë drejt Las Vegasit. Vizita zhvillohet në një periudhë kur aktiviteti politik po intensifikohet përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA./ad
