21-vjeçari nga Merilendi, i identifikuar si Nasir Best, i cili hapi zjarr në Shtëpinë e Bardhë, ishte një person i njohur për Shërbimin Sekret amerikan.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Best besohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kishte pasur disa përplasje me autoritetet gjatë vitit të fundit.
Ai ishte shtruar më herët në një institucion psikiatrik për vlerësim.
Mediat raportojnë se më 26 qershor të vitit të kaluar ai ishte arrestuar në Uashington për pengim të transportit, ndërsa më 10 korrik ishte ndaluar sërish për hyrje pa leje.
Në një nga incidentet, ai kishte tentuar të kalonte në një pikë kontrolli dhe kishte folur në mënyrë të pakuptueshme me agjentët federalë dhe policinë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Best kishte shkelur edhe një urdhër gjykate për të qëndruar larg Shtëpisë së Bardhë.
Në deklaratat e tij ai pretendonte se ishte “Jezu Krishti” dhe kërkonte të arrestohej.
CNN raportoi se në postimet e tij në internet, 21-vjeçari kishte bërë edhe kërcënime ndaj Donald Trump, duke shkruar: “Unë jam vërtet biri i Zotit”.
Sipas autoriteteve, ai arriti të qëllonte disa plumba përpara se të neutralizohej nga oficerët federalë. Ai u transportua në spital, ku më pas ndërroi jetë.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur rëndë edhe një kalimtar.
Pas incidentit, Shërbimi Sekret u vendos menjëherë në gatishmëri në Shtëpinë e Bardhë dhe evakuoi gazetarët drejt sallës së konferencave për shtyp. Autoritetet amerikane nuk kanë bërë ende të ditur motivin e sulmit, ndërsa politikanë nga të dyja partitë dënuan aktin e dhunës./et
