Momentet që përjetuan pjesëtarët e ushtrisë amerikane, të cilët morën pjesë në bombardimet kundër Iranit me emrin “Çekiçi i Mesnatës”, të zhvilluar në verën e vitit 2025, janë bërë publike nga një revistë ushtarake amerikane.
Siç raporton revista “Air & Space Forces Magazine”, ishte agim i së dielës, 22 qershor 2025, dhe një gjysmëhënë e kuqe ndriçonte qiellin e Iranit.
Pas 18 orësh fluturimi, dy pilotë amerikanë të një bombarduesi B-2 po i afroheshin objektivit të tyre. Ata kontrolluan përsëri çelësat e komandimit, më pas hartat dhe orët e tyre, derisa papritur dalluan dritat e qytetit poshtë avionit.
“O Zot, është Teherani!”, thirri njëri prej tyre.
Ata kishin bërë prova për këtë mision shumë herë, por tani po e përjetonin atë në të vërtetë.
“Po e bëjmë. Po ndodh vërtet”, thanë ata, duke u përpjekur të kuptonin se operacioni po zhvillohej pikërisht poshtë tyre.
Disa minuta më vonë, u hapën dyert e ndarjes së armatimit. Dy bomba gjigante, me peshë rreth 13,6 tonë secila, u lëshuan nga pjesa e poshtme e avionit dhe u drejtuan drejt objektit bërthamor nëntokësor të Fordow-it.
“Le të largohemi prej këtu!”, tha njëri prej pilotëve.
“Jo, prit pak”, u përgjigj kolegu i tij.
Më pas, ata kthyen avionin dhe vështruan prapa, duke pritur të shihnin nëse bombat do të shpërthenin.
Papritur, pas rreth 15 sekondash, një top zjarri u ngrit në lartësinë e një ndërtese dhjetëkatëshe dhe e shndërroi natën në ditë në malet iraniane.
Ndryshimet e minutës së fundit në planifikimin 15-vjeçar
Planifikimi për shkatërrimin e objekteve në Fordow kishte nisur në vitin 2009, kur shërbimet amerikane të inteligjencës zbuluan punime të dyshimta ndërtimore në malet në jugperëndim të Teheranit.
Për rreth 15 vjet, ekspertët amerikanë studiuan ndërtimin e objektit dhe sistemet që e mbështesnin atë.
Një element qendror i këtij programi ishte zhvillimi i bombës GBU-57, e projektuar për të goditur objektiva të vendosura në thellësi të mëdha nëntokësore. Avioni B-2 është i vetmi avion që mund ta transportojë këtë bombë.
Në ditët para sulmit, amerikanët konstatuan se pala iraniane kishte tentuar të mbyllte disa pjesë të objektit me beton.
Ky zhvillim i detyroi drejtuesit ushtarakë të rishikonin planin. Ndryshimet vazhduan deri në orët e fundit, kur disa pilotë tashmë kishin shkuar për të fjetur, në mënyrë që të pushonin përpara misionit.
Orët në kabinën e pilotimit
Një nga sfidat më të mëdha ishte mbajtja e fshehtë e nisjes së shtatë bombarduesve B-2 nga baza ajrore Whiteman në Misuri.
Mobilizimi i dukshëm i bombarduesve të tjerë, të cilët sipas informacioneve të rrjedhura po drejtoheshin drejt Guamit ose bazës Diego Garcia në Oqeanin Indian, ishte pjesë e operacionit të mashtrimit.
As familjet e pilotëve nuk e dinin se ku po shkonin ata.
“Nuk i thashë asgjë”, tregoi një pilot, duke iu referuar bashkëshortes së tij.
Misioni ishte një provë e vërtetë qëndrueshmërie fizike dhe mendore.
Në çdo avion kishte dy pilotë, të cilët kaluan shumë orë në një kabinë të ngushtë, kryen furnizime me karburant gjatë fluturimit dhe flinin me intervale prej 30 deri në 45 minutash.
Disa u mbështetën te stimulues që u ishin dhënë me recetë mjekësore, ndërsa të tjerë te kafeja dhe pijet energjike.
Në avion kishte një mikrovalë, një tualet dhe një hapësirë të vogël ku mund të shtriheshin.
Në operacion morën pjesë gjithsej rreth 125 avionë, mes tyre avionët luftarakë F-22 dhe F-35, avionë sulmues dhe avionë furnizues me karburant në ajër.
Pilotët e cilësuan furnizimin me karburant gjatë fluturimit si një nga faktorët vendimtarë për suksesin e misionit.
“Mbaruam, jemi të sigurt”
Sapo dolën në mënyrë të sigurt nga hapësira ajrore iraniane, pilotët transmetuan mesazhin e tyre të dytë që nga hyrja në zonën e operacionit.
Gjatë fluturimit të kthimit, ekuipazhi i një avioni furnizues me karburant konstatoi se operacioni ishte bërë tashmë publik dhe se mediat po transmetonin lajmin për sulmin.
Donald Trump e kishte njoftuar sulmin ndërkohë që bombarduesit ishin ende në rrugën e kthimit.
Pas rreth 37 orësh në ajër, ekuipazhet u ulën në bazën e tyre në Misuri, të rraskapitur dhe të djersitur. Disa prej tyre mësuan se familjarët e tyre kishin marrë vesh për misionin nga televizioni.
Pasi takuan për pak kohë të afërmit, pilotët iu nënshtruan kontrolleve mjekësore, morën lëngje nëpërmjet infuzioneve dhe më pas morën pjesë në një informim sekret, ku iu treguan pamje satelitore të objektivave të goditura.
Pikërisht gjatë këtij informimi sekret, disa prej pjesëmarrësve mësuan për herë të parë emrin zyrtar të operacionit.
Në total, u hodhën 14 bomba depërtuese për shkatërrimin e bunkerëve, me një peshë të përgjithshme prej rreth 190 tonësh.
Objektet bërthamore në Isfahan u goditën gjithashtu nga raketa Tomahawk, të lëshuara nga një nëndetëse./ad
